Ish kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj thotë se një problematikë e madhe është punësimi i personave jo të duhur në poste të posaçme. E ftuar në emisionin “Bardh a Zi”, ish kryeprokurorja komentoi edhe publikimin e listës së pagave të qytetarëve disa kohë më parë.
Sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm tek sistemi por edhe tek fakti që punësohen njerëz të papërgjegjshëm.
“Të gjithë e dimë rrjedhjen e të dhënave në raport me pagat. Një element i rëndësishëm është edhe rekrutimi i punonjësve. Unë i referohem një rasti konkret që nxjerrja e listës së pagave nga një hetim i Prokurorisë së Tiranës, ku një specialist IT për shkak të mungesës së dijenisë, së përgjegjshmërisë apo edhe me vetëdije, përfundon lista e pagave e shitur në pazar.
Kjo nuk lidhet me faktin se sa i sigurt ka qenë sistemi por me faktin se sistemi ynë në rekrutimin e personave që ushtrojnë funksione publike nuk është i duhuri. Pra, nuk bëhet në rang të meritokracisë, të profesionalitetit dhe nuk kalojnë në atë listimin perfekt që lidhet me përgjegjshmërinë në detyrë.
Sepse nëse një specialist IT me një rrogë aq sa ofron rroga bazë e institucioneve tona, nuk e ka interesin ekonomik për të mbajtur atë vend pune për një shkak ose një tjetër, atëherë ky individi nuk do të ketë përgjegjshmërinë për ta ruajtur informacionin. Lista e pagave të vërshojë si lumë për shkak të papërgjegjshmërisë, kjo lidhet edhe me ata që kanë për detyrë të rekrutojnë ata punonjës.”, tha Imeraj./abcnews.al