Psikologët kërkojnë të bëjnë vaksinën anti-Covid, Treska: Duhet të cilësohen kategori risku

schedule16:22 - 19 Mars, 2021

schedule 16:22 - 19 Mars, 2021

Nga Ema Shazivari

Psikologët kërkojnë të bëjnë vaksinën anti-covid.

Presidentja e urdhrit, Valbona Treska i ka dërguar 2 ditë më parë një shkresë ministrisë së shëndetësisë, ku i kërkon që të konsiderohen si kategori e riskuar. Për ABC thotë se psikologët duhet të trajtohen si punonjës të shëndetit, pasi kanë kontribuar në luftën me Covid, duke rrezikuar veten dhe të afërmit e tyre.

“Kemi pasur raste që e kanë kaluar rëndë, por edhe raste të humbjes së jetës së familjarëve të psikologëve që e kanë ushtruar profesionin dhe për shkak të kësaj janë infektuar dhe kanë infektur dhe familjarë të tyre. Në regjistrin e Urdhrit të Psikologut kemi 1500 anëtarë të urdhrit të psikologut. Ka qenë një rritje në masë e kërkesave të popullatës për ndihmë psikologjike. Edhe psikologët ndodhen në vijën e rrezikut sepse janë pjesë e shëndetit mendor të popullatës”, tha ajo.

Për Treskën, me prioritet duhet të trajtohen ata psikologë të cilët punojnë në spitalet covid, apo institucione të ndryshme të vendit.

“Është një kategori që e ushtron rregullisht profesionin dhe që janë më të riskuar për tu infektuar nga koronavirusi, si psikologët që janë pjesë e institucioneve të shëndetësisë, apo psikologë që punojnë në arsim si edhe ata që e ushtrojnë privatisht profesionin”, thotë më tej ajo.

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka kthyer një përgjigje për kërkesën e tyre. Disa javë më parë ishin farmacistët ata të cilët kërkuan të ishin pjesë prioritare e vaksinimit, mirëpo Ministria e refuzoi pretendimin e tyre.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!