Pas largimit të Lionel Messi, “çështjes” Mbappe, i cili është gjithashtu pranë largimit dhe me një sërë afrimesh të reja, mund të themi me plot gojë, se një ndër merkatot më të mira këtë verë është bërë nga “gjigandët” francezë të PSG.
Mirëpo, duket se merkato e “çmendur” e kampionëve të Ligue 1 nuk do të ndalet me kaq, pasi braziliani Neymar, një nga ikonat e këtij ekipi, të paktën këto 6 vitet e fundit ka kërkuar të largohet nga “Parc des Princes” dhe mesa duket klubi ka vendosur t’ia plotësojë “dëshirën”, por me kushtet e tyre.
Për kartonin e “yllit” brazilian, tashmë 30-vjeçar, “parisienët” nuk pranojnë asnjë cent më pak se 150 milionë euro, kjo për faktin se “fantazisti” ka një kontratë me PSG-në, deri në verën e vitit 2027.
Megjithatë shitja direkte nuk është e vetmja mënyrë largimi për Neymar, nga francezët, me këta të fundit që janë të gatshëm të ofrojnë brazilianin në formë huazimi, për të kursyer një vit nga paga e tij e konsiderueshme, por vetëm nëse klubi që merr këtë “përgjegjësi” të blejë përfundimit brazilianin në verën e vitit të ardhshëm.
PSG po mendon gjithashtu për të mbajtur nën kontroll bilancet e klubit, teksa deri më tani nuk rrezikohet nga “Fair Play Financiar”, mirëpo me hyrjen në fuqi të rregullave të reja, klubi ka nevojë për likuiditet dhe padyshim një ndër lojtarët më “të shtrenjëtë”, por që nuk i “nevojitet” më ekipit është braziliani Neymar.
Përsa i përket ofertave për këtë të fundit, klubet kanë afat të negociojnë për 31-vjeçarin, deri më 3 shtator, datë kur mbyllet merkatoja e futbollistëve në Francë. Ndërkaq, deri më tani interes për “fantazistit” kanë treguar sauditët e Al-Hilal, të cilët janë të gatshëm t’i ofrojnë brazilianit një kontratë prej 80 milionë eurosh në sezon, por deri më tani nuk ka avancim të negociatave. /i.m /abcnews.al