Pse vrasjet e bujshme ndodhin gjithmonë në rrugë nacionale?

schedule18:10 - 18 Gusht, 2022

schedule 18:10 - 18 Gusht, 2022

Ditën e enjte Shqipëria u gjend sërish nën krismat e kallashnikovit, ku dy persona u ekzekutuan në aksin Fier-Vlorë.

Sërish e njëjta histori si në të gjitha ekzekutimet e tjera, të vrarë, makinë e djegur dhe asnjë autor i identifikuar.

Ekzekutimi i Shpëtim Lenës dhe Haki Xhezos, duket sikur është bërë nga e njëjta “dorë” ose më saktë është përdorur e njëjta skemë, përgjim, ndjekje dhe në fund goditja.

I njëjtë si ekzekutimi i sotëm ishte dhe ai i 17 Korrikut në Fushë-Krujë ku u ekzekutuan ndërsa ecnin me makinë në rrugë tre të rinjtë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Po ashtu edhe prita që ju bë të “famshmit” Nuredin Dumani në Papër të Elbasanit, ishte sërish në rrugë, por ky i fundit arriti tu mbijetojë plagëve të marra dhe sot ëhstë një “pentito” i drejtësisë.

Po pse vrasjet ndodhin në shumicën e rasteve në rrugët nacionale?

Mesa duket autorët i planifikojnë mirë dhe me saktësi të gjitha veprimet e tyre. Arsyeja pse ata zgjedhin në shumicën e rasteve që ekzekutimet t’i bëjnë në rrugë nacionale, është se aty nuk ka kamera vëzhgimi, nuk ka prani të policisë, si dhe kanë me dhjetëra mundësi arratisjeje nëpër rrugët dytësore.

Ajo që na kanë mësuar historitë e ekzekutimeve përfshirë edhe këtë të fundit është vetëm një gjë, që ekzekutorët përdorin gjithnjë dy rrugë, e para është itinerari që bën viktima e tyre, dhe e dyta rruga ku ata i presin bashkëpunëtorët, vendi ku bëhet dhe ndërrimi i mjetit, pasi makina që u përdor për kryerjen e vrasjes digjet, dhe mjeti tjetër që është ai i arratisjes.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!