Pse ushtria franceze nuk ka gjasa që të kryejë ndonjë grusht shteti

schedule17:17 - 15 Maj, 2021

schedule 17:17 - 15 Maj, 2021

Nga Jérôme Pellistrandi, Politico.eu

Disa letra të hapura kanë shkaktuar një furi mediatike në Francë. Të nënshkruara nga pjesëtarët e forcave të armatosura dhe duke paralajmëruar mbi rrezikun e luftës civile, këto ndërhyrje në debatin publik, kanë rritur frikën se ndërhyrjes ushtarake në procesin politik – një dukuri kjo jo e pa dëgjuar në Francën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Por gjykoj se këto shqetësime janë të tepruara. Ndërsa disa anëtarë të ushtrisë kanë hequr dorë qartazi – dhe me vetëdije – nga detyrimi i tyre për të qenë neutralë në raport me politikën, veprimet e tyre nuk janë përfaqësuese të shumicës së ushtarakëve dhe ushtrisë franceze, e cila mbetet profesioniste, apolitike dhe e përkushtuar për të bërë punën e saj.

Letrat, të botuara në një revistë të krahut të djathtë, paralajmërojnë mbi skenarin e një“kryengritjeje civile”, dhe kritikojnë atë që përshkruhet si “tolerancë” qeveritare ndaj Islamizmit.

Ato janë botuar në një kohë kur vendi po hyn në një sezon të nxehtë politik përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm,duke shkaktuar reagimin e shpejtë të politikanëve, në një kohë që kanë nxjerr në pah dhe përforcuar tensionet që po përçajnë sot shoqërinë franceze.

Forma, substanca dhe koha e zgjedhur, kanë nxitur një alarm të mëtejshëm. Letra e parë, e nënshkruar nga një grup ushtarakësh kryesisht në pension, u botua më 21 prill, në kuadër të60vjetorittë një puçi të dështuar për të penguar presidentin e kohës Charles de Gaulle që të tërhiqte trupat franceze nga kolonia në Algjeri.

Shumë analistë në media kanë nxituar të bëjnë paralelizma të thjeshtëzuara dhe të pasakta. Letra e dytë, e botuar më datën 9 maj po në revistën e krahut të djathtë, ishte nënshkruar nga ushtarakë aktivë që kishin shërbyer në misionet në Mali, Afganistan dhe Republikën e Afrikës Qendrore, por edhe në operacionet e brendshme kundër terrorizmit.

Por ndërsa autorët mund të jenë pjesëtarë të ushtrisë franceze, nuk ka asnjë arsye të besohet se ata kanë më shumë ekspertizë se sa çdo qytetar tjetër mbi temat për të cilat po paralajmërojnë.

Fusha e tyre e kompetencës funksionon në një mjedis strategjik që po ndryshon me shpejtësi. Në fakt, debati që kanë provokuar deri më tani këto letra, ka minuar përfundimisht synimet e autorëve, të cilët dëshironin që të ndiznin një debat rreth vlerave franceze dhe ndarjeve në shoqëri, dhe jo mbi rolin e duhur që duhet të ketë ushtria në shoqëri.

Meqë nënshkruesit ishin të kufizuar në ushtarakë apo ish-ushtarakë, pa asnjë përfaqësim nga shoqëria civile, kjo imponoi një reagim të fortë, në dëm të ushtrisë. Kjo lëvizje krijoi gjithashtu përshtypjen në media se autorët po flisnin në emër të forcave të armatosura, ndërsa debati pasues ka ekspozuar një përçarje të qartë midis pikëpamjeve të tyre dhe atyre të shumicës dërrmuese që shërbejnë sot në ushtrinë franceze.

Përkundrazi, thirrjet e  udhëheqësve politikë si kryeministri dhe presidenti që forcat e armatosura të zbatojnë rendin kushtetues,ishin më të nevojshme për të shuar tensionin që kishin nisur të shkaktonin politikanët me deklaratat e tyre.

Letrat gjeneruan shumë pak entuziazëm në radhët e forcave të rendit, të cilat qartazi nuk e gjenin veten në atë qëndrim. Sidomos në lidhje me letrën e parë, ekziston një ndarje e qartë midis brezave, me qëndrimet e ushtarakëve që kanë evoluar shumë që nga koha kur presidenti Jacques Chirac i dhafund rekrutimit të detyrueshëm për të krijuar një ushtri moderne dhe profesionale në vitin 1996.

Sot ushtria franceze është më e larmishme se kurrë më parë, me rekrutime të konsiderueshme nga të gjitha sferat e jetës. Kjo përzierje kulturash është një sukses dhe një burim i ligjshëm krenarie për forcat tona të armatosura, duke i dhënë mundësinë të gjithëve që të gjejnë vendin e tyre në ushtri.

Kytipar, i ndërtuar mbi konceptin e “esprit de corps” (shpirti i grupit), ka spikatur më shumë vitet e fundit, kur ushtria nisi të shërbejë në shumë misione jashtë shtetit. Por asnjë nga këto nuk do të thotë se ushtria mund të mbetet e vetëkënaqur.

Me fushatën presidenciale që sapo ka filluar, do të jetë shumë e rëndësishme që udhëheqësit ushtarakë të nënvizojnë faktin se forcat e armatosura janë në shërbim të Francës. Kjo do të nënkuptojë pranimin e rregullave që kufizojnë shprehjen politike nga anëtarët e ushtrisë në shërbim aktiv apo ata në pension, por pa i penguar ata të marrin pjesë në debatin mbi të ardhmen e vendit tonë. Edhe kjo është një mënyrë, përmes së cilës ata mund t’i shërbejnë vendit tonë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Jérôme Pellistrandi, është një ish-gjeneral francez në pension, dhe kryeredaktor i revistës“Revue Défense Nationale”.