Pse u shpartallua ushtria shqiptare? Meçollari: S’u treguam të aftë të mbanim kapacitetet. Nanaj: Baza e NATO-s? Të forcohet më tepër

schedule21:34 - 7 Mars, 2024

schedule 21:34 - 7 Mars, 2024

Pse u shpartallua ushtria shqiptare? Për këtë temë po diskutohet këtë të enjte në emisionin “360 gradë” të Artur Zhejit. Ish piloti Agim Nanaj tha se ushtria shqiptare duhet të ndryshojë kurs dhe të forcohet pasi është një domosdoshmëri që po e ndjekin shumë vende.

Kapiteni Artur Meçollari thotë se autoritetet nuk u treguan të aftë për të bërë një trancizion të ushtrisë, në mënyrë që kapacitetet ushtarake që kishim, të mbaheshin. Duke u ndalur tek baza e NATO-s në Kuçovë, Nanaj shtoi se duhet të forcohet më tepër.

Pjesë nga diskutimi në studio: 

Agim Nanaj: Ishte një ushtri e organizuar, një forcë dinjitoze por me kalimin në sistemin tjetër në 1990, pati një hemoragji të jashtëzakonshme, shkrirje totale të forcave të armatosura. Kuptohet që nga një gjendje cilësore, të kalosh në një gjendje të tillë është fatkeqësi kombëtare. Ushtria nuk është një luks, është domosdoshmëri. Dhe shtetet neutrale që kanë gjoja garanci, e forcojnë aftësinë mbrojtëse. Ushtria duhet të ndryshojë kurs, është e vonuar.

Dilaver Goxhaj: Krimi që është bërë për ushtrinë shqiptare nuk do merret vesh kurrë. Kjo është një dosje që nuk do të hapet kurrë. Kur ne ndryshuam sistemin shoqëror, e filluam sistemin e ri me parrullën ‘Ta nisim gjithçka nga zeroja’. Edhe ushtria do fillonte nga zero, për ta ngritur nga e para. Se si, e dinë këta që e drejtojnë.

Artur Meçollari: Ne nuk u treguam politikisht apo profesionalisht të aftë të bëjmë një trancizion të butë të ushtrisë. Nuk arritëm të bëjmë një trancizion të butë sepse me këtë kisha parasysh se ushtria ishte përtej kapaciteteve ekonomike të vendit, zyrtarisht 13 përqind e GDP mbështeste ushtrinë dhe e dyta, një ushtri që nuk i përgjigjej kërcënimit real nga jashtë, që ekzistonte në atë kohë se nesër do të sulmoheshim nga armiqtë. Duhej një trancizion i planifikuar, i butë dhe i llogaritur, që kapacitetet të mbaheshin.

Shemsi Prençi: Kohë kontradiksonesh të theksuara. Në kohën që kishim përballë armiq imagjinarë, Shqipëria ngriti një ushtri me kapacitete njerëzore dhe teknike nga më modernet e kohës, që kalonte përtej mundësive ekonomike dhe financiare. Cuditërisht në trancizion, minimalisht sikur përfitimet që ka marrë nga demontimi i armatimit të asaj kohe dhe nga shitja e pasurive të ushtrisë, sikur të kishte menduar vetëm me rifreskimin e armëve më moderne, pakësimin e ushtrisë, përqendrimin dhe modernizimin, sot do të kishte një ushtri moderne. Të gjitha qeveritë i shitën. Problemi më hipokrit që është sot, është fakti që në kuadrin e NATO-s, hapësirën ajrore shqiptare e kontrollon shteti me të cilin jemi në gjendje lufte ende, që vendos veton për anëtarësimin në BE. Na kontrollon hapësirën ajrore, por nuk na e mbron në rast të një agresioni. Ky është paradoksi më i madh, që edhe gjimnazistët e kuptojnë qartazi sesa keq është punuar nga qeveritë shqiptare me ushtrinë shqiptare. Në konceptet ushtarake, nuk kemi një mjet ajror me krah statik. Shqipëria nuk ka një mjet për ta ngritur në ajër.

Agim Nanaj: Baza e NATO-s në Kuçovë është e vonuar shumë dhe ajo ka qenë si bazë, duhet të forcohet më tepër. Nuk pret koha dhe situata që të mos e vlerësojmë elementin kohë, nëse nuk ke mbrojtje nuk ke asgjë tjetër./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!