Gazetari i Abc News, Ermal Vija ka thënë se ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano kishte mbështetjen e SHBA-ve, ndryshe nga drejtues të tjerë që kryesisht kanë influenca politike.
“Jemi mësuar të kishim influenca politike, ndryshe nga herët e tjera në rastin e Nanos kishim edhe influenca diplomatike. Mbështetej shumë nga SHBA, e cila iu dha edhe në shkarkimin që deklaruan se mbetet partner strategjik. Duket sikur politika këtë radhë e mposhti diplomacinë”, tha gazetari në emisionin “Open”.
Vija shtoi se Nano u shkarkua për shkak të disa kontradiktave, nër to edhe roli që iu kërkua të luante në zgjedhjet vendore, në mbrojtje të qeverisë.
“Përplasja ka qenë për interesa politike, jo më larg se prilli apo maji janë zgjedhjet lokale dhe politika do në krye të policisë një roje të zgjedhjeve, të jetë mburojë e qeverisë, që Nano nuk e ka ofruar siç duket. Arsye tjetër është emërimet në polici pas marrjes së detyrës nga Nano, një drejtues duhet të ketë stafin e tij që sipas ministrit tonë të Brendshëm nuk u dhanë. Ne nuk pritëm as një vit kalendarik që të bënim një krahasim me punën e të tjerëve”, tha Vija. /abcnews.al