nga Henri Fero
Sot kur dyert e botës janë të hapura kanatë, është shumë e thjeshtë të çohesh e të thuash, mama, baba, unë po iki. Por ne nuk duam të ikim nga vendi që na fali zoti me të gjitha të mirat. Ne nuk duam t’i shërbejmë tokës së huaj.
Ne duam të zgjohemi nga zhurma e dallgëve të Jonit dhe të flejmë në ajrin e maleve që flasin shqip.Ne duam Shqipërinë me 300 ditë diell. Duam sofrën e shtruar me traditë dhe erën e kafes ashtu si e do zakoni. Duam të hamë fiq në verë, djathë Tepelene, pashk deti, zogj nga Myzeqeja e gliko Përmeti, të pimë caj boronice nga Tropoja, raki Skrapari, të gatuajmë me vaj ulliri nga Borshi dhe të përshëndetemi shqip.
Duam të këndojmë me gaz jaret e Shkodrës dhe serenatat e Korçës. Të vallëzojmë vallen e Kuksit dhe vallen çame. Duam të jetojmë afër me miqtë e zemrës e të mos na duhet t’u themi lamtumirë. Duam të flasim me zë të lartë, të veshim trikot e leshit që na i thurin gjyshet dhe të na bërtasin mamat kur futemi brenda në shtëpi me këpucë.
Duam të vishemi kuq e zi e të brohorasim për kombëtaren tonë. Duam të shëtisim të huajtë në Apolloni, Butrint, Durrës, Krujë, Lezhë e të mburremi që jemi stërnipat e Pellazgëve, nipat e Ilirëve dhe djemtë e vajzat e Arbrit. Në të gjitha përfaqësimet e mia ndërkombëtare, çastet kur jam përlotur kanë qënë vetëm kur kam ngritur flamurin shqiptar lartë.
Këto e shumë të tjera mund t’i bëjmë veçse në vendin tonë. Por kur shpresa mungon, këto nuk kanë vlerë përtej sentimentales. Ndaj është momenti, sot ose kurrë, që Shqipëria të ndryshojë fletën dhe të bëhet vendi ku ne rrisim jetën tonë. Mezi pres të vijë dita të varim vargje me hudhra nëpër pika kufitare që të mos na marrin mësysh.