Pse qëndrojnë kaq gjatë në pushtet diktaturat?

schedule13:26 - 4 Nëntor, 2022

schedule 13:26 - 4 Nëntor, 2022

Nga Sheri Berman “Foreign Affairs”

 

Në fillim të viteve 1980, studiuesi i famshëm i demokracisë Robert Dahl shkroi se “në pjesën më të madhe të botës nuk ekzistojnë kushtet e favorshme për zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë, ose në rastin më të mirë ato janë shumë pak të pranishme”.

Dahl e shprehu atë pesimizëm, pikërisht kur po bëhej e qartë se demokracia ishte në prag të lulëzimit të saj më të madh historik. Gjatë fundit të shekullit XX-të, një valë demokratike përfshiu gjithë globin, duke rrëzuar diktaturat në Afrikë, Azi, Amerikën Latine, Evropën Jugore dhe Lindore dhe Bashkimin Sovjetik.

Në fillim të shekullit XXI-të, bota kishte më shumë demokraci se kurrë më parë. E megjithatë, nëse Dahl ishte tepër i zymtë mbi të ardhmen e demokracisë, shumë nga pasardhësit e tij do të ishin më shumë optimistë sesa duhej.

Koncepti shpeshherë i keqkuptuar i Francis Fukuyama-s mbi “fundin e historisë”, pra pohimi se bota kishte arritur “pikën përfundimtare të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizimin e demokracisë liberale perëndimore si forma përfundimtare e qeverisjes njerëzore”, ishte fryt i entuziazmit të asaj kohe.

Shumë politologë të tjerë botuan libra dhe artikuj, që synuan ta kuptonin këtë valë demokratike dhe nëse demokracitë që ajo krijoi do të rezistonin gjatë. Por pavarësisht nga numri i jashtëzakonshëm i vendeve që përqafuan demokracinë, ajo valë mori fund.

Ashtu siç kishte ndodhur me valët e mëparshme në vitet 1848, 1918 dhe 1945, edhe vala e demokracisë në fundin e shekullit XX, u pasua nga një rrymë e fortë që ecte në drejtimin e kundërt. Në dekadën e dytë të shekullit XXI, gjithnjë e më shumë vende po lëviznin në një drejtim autoritar sesa demokratizues.

Këtu përmendim vende si Hungaria, Tajlanda dhe Turqia, ku regjimet demokratike dikur shumë premtuese, janë shndërruar sot në regjime de fakto autoritare. Në këto kushte, studiuesit kanë analizuar sërish ciklin historik, duke u përpjekur të përcaktojnë nëse bota po hyn në një epokë të re të autokracisë.

Në këtë debat kanë ndërhyrë edhe 2 studiuesit më pjellorë dhe më të respektuar të demokracisë dhe diktaturës, Steven Levitsky dhe Lucan Way. Levitsky, një ekspert i Amerikës Latine dhe Way, një ekspert i vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, sjellin së bashku ekspertizën në librin e tyre të ri “Revolucion dhe diktaturë”.

Libri trajton në detaje dy argumente me shumë lidhje midis tyre. I pari ka të bëjë me pushtetin rezistent të regjimeve autoritare. I dyti ka të bëjë me origjinën e këtyre strukturave. Duke skanuar historinë e diktaturave moderne, Levitsky dhe Way identifikojnë 3 veçori, që ata i quajnë edhe si “shtyllat” e regjimeve autoritare që i rezistojnë shumë kohës.

E para është ekzistenca e një elite qeverisëse kohezive. Kjo është shumë e nevojshme, pasi zakonisht regjimet autoritare rrëzohen për shkak të përçarjeve të brendshme. Ndarje të tilla e pengojnë aftësinë e një diktature për t’u përballur me forcë dhe në mënyrë efektive me problemet, dhe i ofrojnë mundësinë lëvizjeve opozitare të tërheqin pas vetes eksponentë dezertorë nga brenda regjimit.

Si shembuj të kësaj, Levitsky dhe Way ofrojnë partitë në pushtet në Gjeorgji, Kenia, Malavi, Senegal dhe Zambia, të cilat u dobësuan ose u destabilizuan nga konfliktet brenda elitës dhe pësuan dezertime në shkallë të gjerë. Në të kundërt, regjimet e qëndrueshme si Shqipëria e Enver Hoxhës, Kina komuniste, Kuba e Fidel Kastros dhe Republika Islamike e Iranit “nuk patën për dekada dezertime nga brenda elitës”.

Shtylla e dytë, është një aparat shtrëngues i fuqishëm dhe besnik. Shpeshherë regjimet autoritare bien si  rezultat i kryengritjeve masive ose i opozitës së mobilizuar. Nëse ushtria, policia apo strukturat e tjera të shtetit kanë interesa që janë të pavarura nga ato të regjimit, ato kanë më pak gjasa të përdorin dhunën kundër bashkëqytetarëve të tyre për të mbrojtur regjimin kur ai është bërë jopopullor.

Prandaj, diktaturat e forta kanë nevojë për forca të armatosura, polici dhe agjenci të inteligjencës, që kontrollohen ose shkrihen me autoritetet politike. Për shembull, duke u integruar në partinë apo elitën në pushtet apo duke u mbikëqyrur nga komisarët politikë ose institucione të tjera partiake. I tillë është rasti i Gardës Revolucionare të Iranit dhe Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Shtylla e tretë që garanton qëndrueshmërinë e një diktature është një opozitë e dobët dhe e përçarë. Kjo gjë ndihmon në parandalimin e planifikimit të protestave masive të qëndrueshme, si dhe formave të tjera të aktivitetit politik, të cilat mund ta minojnë një regjim autoritar ose ta detyrojnë atë të përfshihet në akte dhune kundër qytetarëve të vet, gjë që do të ushqente më tej pakënaqësinë dhe kundërshtimin.

Autorët e librit kujtojnë se në Vietnamin komunist të viteve 1960 “ishin shtypur të gjitha burimet e pavarura të pushtetit jashtë shtetit, duke i lënë kundërshtarët pa një bazë masive”. Po ashtu, ata vënë në dukje ndarjet midis opozitës laike dhe islamike, si një faktor kyç që mbështet qëndrueshmërinë diktatoriale në pjesë të botës myslimane.

Por pavarësisht rëndësisë së tyre, këto 3 shtylla nuk përcaktojnë vetëm jetëgjatësinë e një regjimi. Rëndësi ka edhe mënyra se si ngjiten në pushtet autokracitë. Diktaturat me origjinë revolucionare, janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Sipas Levitsky dhe Way, regjime të tilla ekzistojnë mesatarisht për një kohë 3 herë më të gjatë sesa diktaturat jo-revolucionare.

71 për qind e tyre mbijetuan për 3 dekada ose më shumë, krahasuar me vetëm 19 për qind të regjimeve jo revolucionare. Edhe pse shumë regjime autoritare u shembën në fund të Luftës së Ftohtë, disa qeveri revolucionare, si ato në Kinë, Kubë dhe Vietnami, mbetën të paprekura.

Sot lloji më i zakonshëm i diktaturës bashkëkohore, është ajo që shpesh quhet “autokraci elektorale”. Regjimet si Hungaria e Orban, Turqia e Recep Tayyip Erdogan dhe India e Narendra Modit, nuk përfshihen në një fushatë të gjerë dhune ndaj kundërshtarëve, apo në eksperimente radikale socio-ekonomike ose kulturore.

Ata mbajnë rregullisht zgjedhjeve të manipuluara, ndërsa kufizojnë në ekstrem tiparet kritike të demokracisë liberale si media e lirë, shoqëria civile dhe gjyqësori i pavarur. Ndërkohë regjimet e sotme revolucionare si Kina komuniste dhe Republika Islamike e Iranit kanë elita kohezive ushtarake dhe politike, ndaj kundërshtimi ndaj tyre praktikisht nuk ekziston.

Kjo është me siguri arsyeja, pse këto regjime kanë qenë relativisht të qëndrueshme gjatë dekadave të fundit. Megjithatë, ndonëse regjimi i tij nuk ka origjinë revolucionare, presidenti rus Vladimir Putin  duket se e ka shumë nën kontroll ushtrinë e tij. Ai sundon me oligarkët e vendit përmes një rrjeti korrupsioni, duke e eliminuar të gjithë opozitën e organizuar.

Këta faktorë mund të na nxisin të parashikojmë një stabilitet të mëtejshëm të këtij regjimi. Po ashtu, ata mund ta kenë bindur me gjasë Putinin se jo vetëm mund të mbijetojë në pushtet, por mund të përmirësojë edhe pozitën e tij dhe të vendit të tij, duke e futur Rusinë në një luftë me Ukrainën. Lufta ka rezultuar të jetë shumë më e vështirë nga sa e priste ai. Megjithatë mbetet e paqartë nëse kjo aventurë ushtarake, do ta forcojë apo dobësojë pushtetin e Putinit.

Shënim:Sheri Berman, profesoreshë e shkencave politike në Kolegjin Barnard. Ajo është autore e librit “Demokracia dhe diktatura në Evropë:Nga regjimet e lashta deri në ditët e sotme”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!