Ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo ka komentuar në studion e lajmeve të Abc, “incidentin” e ditës së sotme në Finiq, ku eskorta e Presidentit Bajram Begaj i cili ndodhet për vizitë në jug të venditm, nuk ndaloi ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Finiqit dhe stafi i tij kishin dalë në rrugë për të pritur presidentin Begaj.
Milo tha se nuk duhet parë si incident apo përplasje institucionesh, pasi nëse nuk ka patur një akord mes dy institucioneve, Presidenti nuk ka për detyrë të ndalojë dhe të takojë kryetarin e Bashkisë.
Ai tha se vetëm në rast se dy institucionet do kishin rënë dakord për një takim të tillë, ose shtrëngim duarsh, atëherë sigurisht që presidenti do të ishte ndalur në Bashkinë e Finiqit.
Pjesë nga biseda:
Xhokaxhi: Mitsotakis, kryeministri i Greqisë nesër mbërrin në jug të vendit, ndërkohë që sot në jug të vendit ka qenë presidenti Bajram Begaj, mund të jetë një rastësi. Por ajo që vumë re është se ndërsa po kalonte në Fiqin eskorta e presidentit Begaj nuk është ndalur për të takuar kreun e Bashkisë i cili kishte dalë në rrugë, si e komentoni?
Milo: Midis institucioneve ka koordinim. Nëse janë koordinuar Presidenca me Bashkinë e Finiqit, patjetër që presidenti do ndalonte. Por nëse kryetari i Bashkisë së Finiqit ka dalë në rrugë pa e njoftuar, kjo nuk funksionon. Unë nuk besoj që të kemi arritur deri në këtë pikë ku institucionet mos respektojnë njëri-tjetrin. Pushteti vendor është jo vetëm moralist por dhe me ligj të respektojë kryetarin e shtetit në vizitën e tij. Por nëse presidenca nuk ka njoftim që është rënë dakord që presidenti të qëndrojë të shtrëngojë duart, atëherë presidenti nuk mund të qëndrojë.
Xhokaxhi: Mitsotakis mbërrin në jug nesër, i ka përcaktuar zonat ku do qëndrojë, ky impenjim i madh i Greqisë?
Milo: Vizita me rastin e samitit ishte detyrim institucional me BE-në. Kjo që po ndodh nesër është një vizitë normale.
/Abcnews.al/