Shqipëria do të ngrejë një Komision Parlamentar për dezinformimin për të mbikëqyrur përpjekjet për të ndërhyrë në proceset demokratike në vend. Ky komision vjen pas marrëveshjes Shqipëri-SHBA, rekomandimet e BE-së dhe deklaratës së Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore mbajtur në Tiranë.
Eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço thotë se ndonëse një hap i vonuar, është i drejtë. I ftuar në emisionin “Real Story”, eksperti tha se Shqipëria është informuar nga mediat e huaja për një propagandë malinje.
“Masat që janë marrë nuk po mbërrijnë dot që të rregullojmë në një shpejtësi kaq të madhe ta rregullojmë me legjislacion, institucione dhe me disiplinim që janë financat, që është integriteti i këtij biznesi kaq të madh. Kur bëhet fjalë për interesat kombëtare, ne jemi pak të vonuar po ishte vendimmarrje shumë e drejtë që u bë në kuadër të një partneriteti me SHBA. Ajo që na vuri përpara një fakti të kryer që duhet të merrnim masa që më herët i kanë marrë edhe disa vende evropiane dhe Parlamenti Evropian.
Kësaj radhe flitet për interesat e sigurisë kombëtare është nivel më i lartë sesa qëllimi i brendshëm në atë kohë. Jemi përpara një sulmi në formë hibride, që nuk po prek vetëm Shqipërinë dhe ka të bëjë me të gjitha rajonin dhe në lidhje me influenca malinje nga palët e treta. Ka raporte të tëra vit pas viti që nuk janë bërë publike, por janë të Shërbimit Informativ Shtetëror, që kanë njoftuar Shqipërinë për manipulime të jashtëzakonshme dhe mundësinë dhe një propagandë malinje që vjen, duke filluar që nga turizmi, që ne po e formësojmë si një nga shtyllat më të forta të ekonomisë tonë.
Ne i kemi para fqinjët jugor që herë pas herë nxjerin filmime nga bregdeti jonë, i cili ndotet nga tragetet e tyre dhe thonë ja cilësia. Ndërkohë që tani filluan edhe vitin e kaluar edhe me ushqimin, kushtet dhe këto janë trolle për të shëmtuar imazhin që po vinte nga turizmi dhe bëhet për uljen e numrit të turistëve. Kjo është luftë e padrejtë dhe kërkon të dëmtojë atë realitet që është ndërtuar dhe që nuk ka hile. Kur flasim për fqinjin që e ka për turizmin, të tjerë e kanë për të dëmtuar rëndë elementë të demokracisë”, u shpreh Karamuço./abcnews.al