Kush nuk i pëlqen ushqimet pikante? Ne themi se mund t’i përballojmë të gjitha, por ndjesia që na ofrojnë ushqimet pikante na duket sikur po digjemi.
Lëvizja e parë, pothuajse automatike që bën dikush pasi ka ngrënë diçka të nxehtë, është të pijë ujë. Megjithatë, sipas shkencëtarëve amerikanë, është gjëja më e keqe që mund të bësh.
Këto janë disa arsye pse nuk duhet të pimë menjëherë ujë:
Një gjë e tillë funksionon në drejtim të kundërt. Ekspertët nga Shoqata Kimike Amerikane shpjegojnë se kombinimi i molekulave të ujit me substancën përgjegjëse për shijen e nxehtë të disa ushqimeve si speci djegës është si të derdhësh ujë mbi vajin që ka marrë flakë. Kjo substancë është kapsaicina, një substancë pa ngjyrë dhe pa erë që ekziston në përqendrime më të mëdha brenda specit ku janë ngjitur farat e tij.
Kur kapsaicina bie në kontakt me mukozën e gojës shkakton një ndjesi të fortë djegieje sepse lidhet me receptorët e dhimbjes në gjuhë. Këta receptorë quhen TRPV1 dhe roli i tyre është të zbulojnë substanca të nxehta, si uji i vluar, si dhe ushqimet acidike që mund të shkaktojnë dëme në indet e gojës.
Në momentin kur kapsaicina lidhet me to, receptorët i dërgojnë një mesazh trurit për t’i bërë të ditur se diçka e dëmshme është konsumuar dhe aktivizon mekanizma të tillë si etja për të na detyruar të pimë diçka për të nxjerrë substanca të dëmshme nga trupi.
Sa më e lartë të jetë përmbajtja e kapsaicinës në një ushqim, aq më shumë lidhet me receptorët TRPV1 dhe aq më intensive prodhohet ndjesia e djegies. Shkalla e nxehtësisë që ndjejmë nga ngrënia e ushqimit matet me të ashtuquajturën shkallë Scoville.
“Speci fantazmë”, për shembull, speci më djegës në botë që vjen nga India verilindore, është 400 herë më i nxehtë se tabasko dhe ka një vlerësim prej 1000 pikësh në shkallën Scoville.
Kapsaicina që përmban ky spec lidhet me receptorët TRPV1 në të gjithë gojën dhe kështu njeriu ndjehet sikur është në zjarr. Problemi është se kapsaicina është një substancë lipofile, kështu që është praktikisht e patretshme në ujë, por mjaft e tretshme në yndyrna. Praktikisht kjo do të thotë se nëse ndjeni se jeni duke djegur dhe në vend të ujit, pini qumësht ose hani kos, do të lehtësoheni dhe sa më shumë yndyrë të përmbajë, aq më mirë.
Qumështi gjithashtu përmban proteinën kazeinë, e cila tërheq molekulat e kapsaicinës, shtojnë ekspertët e ACS. Kështu i largojnë nga receptorët e dhimbjes dhe i tretin duke lehtësuar më tej dhimbjen. Një tjetër opsion shumë i mirë është një akullore, shtojnë ata. /abcnews.al