Pse nganjëherë na vjen sikur e liga bëhet shumicë?

schedule13:58 - 1 Nëntor, 2024

schedule 13:58 - 1 Nëntor, 2024

Frrok Çupi

Gruaja që kishte mbërritur në studion televizive me ‘misionin’ për të mbartur të ligën, për një çast na u duk më e fuqishme se vetë kryeministri i vendit. U ngul diku nga fundi i radhës, qetë- qetë…, ore si nuk i lëvizte asnjë nerv dhe përsëriste të njëjtat fjalë: ‘Pa dhënë lekë nuk shërbehesh në spital!’.

Çfarëdo që të thoshte kryeministri, gruaja që bënte ‘një gënjeshtër’ dukej më e fuqishme.

E tërë çështja nuk është se një person rekrutohet për të thënë të pavërteta, i jepet mikrofoni, dhe ajo e thotë ‘pa pikë nervi’! Jo, sigurisht, ajo ashtu jeton.

Themeli është ky: Pse na mbyt e liga, edhe pse gjithnjë në jetë është më e vogël se e mira. Sidomos tani në vendin tonë, e mira është padyshim maxhorancë.

Ose: Si ndodh herë pas here që ti, psh., sapo je kthyer nga spitali, ke parë me sy e ke prekur atë çfarë ndodh aty…, vjen në shtëpi, hap ekranin dhe dëgjon njeriun që  gënjen po për spitalin. A nuk të ka ndodhur që të ndalosh për një çast para të ligës që thotë tjetri e t’i thuash vetes: ‘Jam unë apo nuk jam?”. Unë për vete pata rastin që sapo kthehem nga spitali ‘Nënë Tereza’. Shkoni dhe hidhini një sy, shikoni një realitet që s’ka ndonjë ndryshim nga spitalet më të mira në Evropë… Po derisa të mbërrish në Spital ku shikon më shumë bluza të bardha se pacientë, sigurisht do të jetë vonë për t’u çliruar nga e liga që t’u hodh para syve në ekran. Ekrani kurrë nuk shkon te realiteti.

Por më konkrete: Biseda ime me një mik po kaq dyshues mes të ligës dhe të mirës. Çfarë më tregoi?

I ishte ulur një i njohur aty pranë, me bisedën po për spitalet.

-I dhashë infermieres 50 mijë lekë!- i paska thënë tjetri.

-Sa, more? Ti 50 mijë. Ku i paske gjet more dreq?

– Ia dhashë me zor, në fakt!,- tha ky si i përvuajtur. “Jo!” më tha, por unë ia dhashë…

– Ia dhe, apo t’i kërkoi?

“Në atë moment mu bë sikur kisha pranë vetë ligësinë- më tha miku im, zakonisht dyshues.- I thashë ‘çohu, çohu e mos të të shikoj këtu; mashtrues!’ Iku’.

Po çfarë ndodh që edhe kur e ke parë vetë spitalin- bie fjala- të vjen ta dëgjosh për një çast të ligën që nuk ekziston. A thua po i japim argat të ligës? Edhe mundet, sepse njeriu për nga natyra, tërheq për nga lajmi i keq. Këtë ‘natyrë’ e merr media si ushqim dhe i nxin pamjen gjithë shoqërisë.

Apo ndodh sepse që në ngjizjen e vet njeriu është ‘mëkatar’; mëkati i duket më i lehtë kur e thotë. Që me mollën e Adamit u krijua dobësia e djalit; edhe pse nuk ishte ashtu. Shkaktar i të këqijave, që edhe nuk ekzistojnë, bëhet njeriu. Në rastin tonë, edhe globalisht, nuk ka gjë më të keqe se lajmi i rremë. Ja, sjell në studio shtatë a tetë militantë që i merr nga ‘nën- ballkoni tetë’ dhe ata gënjejnë ‘pa i lëvizur qerpiku’.

Edhe vetë kryeministri i vendit duket si më ‘i pafuqishëm’ se gënjeshtari. Sigurisht, jo vetëm këtu. Botërisht njihet zotësia e të ligut, ai po të futi në rrethin e tij, ti nuk e mund dot… Për ta mundur duhen mjetet e tij, që janë mashtrimet. Ti a i ke këto mjete?

Më e përtejme, shqetësimi është se shpesh herë hajdutët që nga burgu vishen me fuqinë e viktimës. Këta duket se po thonë “Populli na ka hyrë në hak pse e vodhëm ne”. Edhe mëkatarët e tjerë, në mini- minorancë, na bëhet herë pas here sikur kthehen në shumicë.

Është vetëm opsesion, por ja që është diçka.