Pse media e lirë ka ende rëndësi në botën e sotme

schedule13:01 - 24 Qershor, 2021

schedule 13:01 - 24 Qershor, 2021

Nga Ashok Swain, Gulf News

Pas takimit të tyre në Kornuoll të Britanisë së Madhe, udhëheqësit e Grupit të të Shtatëve (G7), bashku me udhëheqësit e Australisë, Indisë, Afrikës së Jugut dhe Korenë e Jugut, lëshuan një deklaratë të përbashkët më 13 qershor, e cila rikonfirmoi angazhimin e tyre për të rritur bashkëpunimin në mbështetje të demokracisë.

Për më tepër, ata janë zotuar t’i kundërvihen kërcënimeve nga shtetet e huaja, të forcojnë lirinë e medias dhe të garantojnë mbrojtjen e gazetarëve në vendet e tyre. Me rënien globale të demokracive dhe rritjen e populizmit, liria e mediave është përkeqësuar në të gjithë botën gjatë 15 viteve të fundit.

Neglizhenca në rritje e kushteve që forcojnë demokracinë, ka qenë arsyeja kryesore e destabilizimit të rendit demokratik. Disa liderë autoritarë po bëhen shumë kreativë në marrjen e pushtetit absolut, shkatërrimin e shtetit ligjor, kufizimin e hapësirës ndaj mendimit ndryshe, shkeljen e të drejtave të pakicave dhe emigrantëve, duke ruajtur në të njëjtën kohë një fasadë të legjitimitetit elektoral.

Kontrolli dhe manipulimi i mediave, janë armët kryesore të autoritaristëve populistë në këtë projekt novator të ruajtjes së një baze të konsiderueshme dhe të zëshme të mbështetjes elektorale, me ndihmën e kontrollit të informacionit.

Vetëm sigurimi i qasjes së njerëzve në informacionin e bazuar në fakte, mund të ndihmojë në kthimin e gjërave në favorin e demokracisë globale dhe lirisë. Dija është pushtet dhe një media e lirë ndihmon në informimin e publikut, dhe pjesëmarrjen e tij domethënëse në një proces demokratik.

Një shoqëri demokratike varet nga e drejta e njerëzve për të pasur dhe shprehur mendime të informuara drejt, jo vetëm kur votojnë, por gjithmonë. Raportimi i saktë mediatik, është i një rëndësie të jashtëzakonshme për formimin e një debati konstruktiv publik, që mund të ndikojë në politikat e niveleve të ndryshme.

Për më tepër, një media e pavarur është thelbësore për të kërkuar llogari nga të pasurit dhe të pushtetshmit, duke garantuar transparencë në vendimmarrje në një demokraci. Një media e lirë, u jep njerëzve mundësinë t’i bëjnë pyetje të vështira politikanëve që janë në pushtet.

Ajo i ndihmon ata të analizojnë në mënyrë kritike vendimet e politikës. Liria e medias është çelësi kryesor përmes së cilit votuesit mund të bëjnë zgjedhjet e duhura në kohën e zgjedhjeve,apo të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre dhe imponuar llogaridhënien e autoriteteve të zgjedhura.

Media e lirë mbron gjithashtu pakicat, të varfrit dhe të pafuqishmit në një demokraci maxhoritare nën një regjim populist. Nuk ka asnjë dyshim se pluralizmi dhe liria e mediave janë thelbësore për sundimin demokratik, qoftë kjo media tradicionale apo media sociale.

Një shoqëri vetëqeverisëse, duhet të ketë informacion të saktë për të marrë vendime sa më të mira.

Siç u shpreh dukur Abraham Lincoln:“Lërini njerëzit të njohin faktet, dhe vendi do të jetë i sigurt”.Lidhja midis medias, demokracisë dhe angazhimit qytetar, është një mburojë kundër abuzimeve të shumicës në pushtet dhe kundër përmbysjes së normave dhe praktikave kushtetuese.

Liria e shtypit është thelbësore në një demokraci, pasi ajo luan një rol jetik në informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre, dhe monitorimin e veprimeve të regjimeve të zgjedhura. Kur një regjim e kërcënon median dhe e kufizon lirinë e shtypit, ai rrezikon vetë demokracinë. Siç shprehej Thomas Jefferson:“Liria jonë varet nga liria e shtypit, dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur”.

Sidoqoftë, shumë demokraci në mbarë botën po përjetojnë kërcënime serioze ndaj politikës së tyre demokratike. Ato e bëjnë këtë përmes zgjedhjes së udhëheqësve populistë, të cilët e kufizojnë vazhdimisht lirinë e shtypit.

Duke përfituar nga tensionet shoqërore, politike dhe etnike në vendet e tyre, disa udhëheqës jodemokratikë të zgjedhur fillimisht me votë janë të përfshirë në vrasje, frikësime, shantazhe dhe ndalime të paligjshme të gazetarëve, profesionistëve të medias dhe ndikuesve në mediat sociale.

Sulmet mizogjiniste ndaj grave gazetare nga ana e udhëheqësve populistë dhe ndjekësve të tyre, janë bërë gjithnjë e më të rregullta. Këta udhëheqës populistë kontrollojnë ose mediat kryesore në vend, ose përdorin forcën e shtetit për t’u mbyllur gojën atyre.

Ata po shpenzojnë burime të mëdha për të goditur kundërshtimin e tyre përmes platformave të mediave sociale. Kur këto media të reja bëhen kritike dhe të vështira për t’u kontrolluar dhe dominuar, atëherë miratohen ligje të ndryshme arbitrare, që në disa raste i ndalojnë këto platforma apo dhe pezullojnë plotësisht shërbimin e internetit.

Ndërsa liria e medias është ndodhur nën një sulm serioz në shumë demokraci që kanë probleme, një deklaratë zyrtare nga vendeve të G7-ës dhe të tjerë, nuk do të ndihmojë dhe aq shumë. Edhe pse shtypi i lirë dhe gazetaria e pavarur, janë gjaku i çdo demokracie, ndihma për zhvillimin e mediave është e vogël.

Mesatarisht, vetëm 0.3 për qind e ndihmës zyrtare për zhvillimit (ODA), ose më pak se 500 milionë dollarë jepen çdo vit për mbështetjen e medias. Është më urgjente se kurrë më parë që demokracitë e zhvilluara të bëhen bashkë, të bashkëpunojnë dhe koordinojnë mbështetjen dhe promovojnë shtypin e lirë në demokracitë që po hasin në sfida të mëdha.

Nëse administrata e Joe Biden dhe vendet e G7-ës, janë serioze në lidhje me projektin e tyre të demokracisë, ata duhet të jenë të përgatitur që të ndërmarrin veprime ndëshkuese kundër atyre që janë të angazhuar në kufizimin e lirive të medias.

Bota ka nevojë për një qasje të re strategjike për dhe një nivel të ri e të dukshëm të vendosmërisë, për të mbështetur mediat dhe mbrojtur me efektivitet demokracitë nga populistët grabitqarë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Ashok Swain, është profesor i paqes dhe kërkimit mbi konfliktet në Universitetin e Upsalas në Suedi.