Pse Lojërat Olimpike Dimërore janë kaq jetike për legjitimitetin e Partisë Komuniste Kineze?

schedule09:47 - 3 Shkurt, 2022

schedule 09:47 - 3 Shkurt, 2022

The Conversation

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Përveç kushteve klimatike dhe COVID-19, Lojërat Dimërore të Pekinit kanë qenë në qendër të vëmendjes për shumë arsye. Ato janë një simbol politik i ambicieve dhe autoritetit të shtetit kinez.  Xi Jinping po përdor Olimpiadën për t’i treguar botës se Kina është e fuqishme dhe në rrugën e duhur për të përmbushur ëndrrën e saj kineze për përtëritje kombëtare.

Si do t’i përdorë Partia Komuniste Kineze (PKK) lojërat brenda vendit për të nxitur këtë narrativë dhe si do të shihet nga pjesa tjetër e botës?

 Çfarë shpreson të fitojë partia nga lojërat që perceptohen tashmë si sukses?

Disa vëzhgues e shohin fuqëzimin e Kinës si gjenerim të një konflikti strategjik të fuqisë dhe kërcënues të rendit botëror liberal. Të tjerë e shohin fuqëzimin Kinës si të përshtatshme për një vend që ka 4000 vite histori dhe që ka bërë përparim ekonomik të mahnitshëm në 50 vitet e fundit, raporton abcnews.al

Këto interpretime të kundërta kanë gjeneruar shumë debat ndërkombëtar para Olimpiadës. Disa vende perëndimore kanë bojkotuar lojërat për shkak të shqetësimeve mbi shkeljet e të drejtave të njeriut të pakicave ujgure dhe shtypjes së thellë në shoqërinë civile, veçanërisht në Hong Kong.

Reputacioni i Kinës u përkeqësua pasi siguria e yllit të tenisit Peng Shuai, një viktimë e supozuar e sulmit seksual, pati një ndikim ndërkombëtar. Megjithatë, brenda vendit, Lojërat Olimpike portretizohen si diçka që populli kinez përfiton– një mënyrë për atletët kinezë për të korrur lavdi dhe për të shfaqur aftësinë e Partisë Komuniste për të organizuar një ngjarje sportive të klasit botëror. Narracioni themelor glorifikon regjimin dhe legjitimon institucionet dhe praktikat e PKK-së.

Roli i partisë në ëndrrën kineze

Mediat kineze i janë kundërpërgjigjur kritikave ndërkombëtare, duke thënë se SHBA-ja po tregohet e pahijshme duke kritikuar politikat zero-covid të Kinës dhe për faktin se amerikanët nuk u ftuan në Lojërat Olimpike. Objektivi i brendshëm i këtyre narrativave agresive është të ripohojë përparësinë e Partisë Komuniste si mbrojtësi më i mirë i Kinës dhe popullit të saj kundër elementëve provokues në komunitetin ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, lojërat përfaqësojnë një mundësi për Xi për të rivendosur retorikën globale ndaj Kinës duke mirëpritur botën në Lojërat Olimpike  të Pekinit. E ashtuquajtura ” diplomacia e luftëtarëve të ujkut ” ka dëmtuar më shumë sesa ka ndihmuar interesat e saj jashtë vendit. Si rezultat, Xi u është lutur anëtarëve të partisë , diplomatëve kinezë dhe medias kineze të marrin masat e duhura  duke qenë më modest për të promovuar një imazh më të “besueshëm, të dashur dhe të respektueshëm të Kinës”, një kërkesë me të cilën ata e kanë respektuar pa dëshirë, raporton abcnews.al

Për Xi, ai ka nevojë si për pajtueshmërinë ashtu edhe për pranimin e partisë. Partia është në thelb të gjithçkaje që ai dëshiron të bëjë – kryesisht, për t’i ofruar popullit “Ëndrrën e tij kineze”.

Ndërsa Ëndrra Kineze shpesh është krahasuar me “Ëndrrën Amerikane”, por nuk është një ëndërr amerikane me karakteristika kineze.

Ëndrra Amerikane thekson liritë individuale, lëvizshmërinë shoqërore dhe suksesin nga përpjekjet e dikujt. Në ëndrrën kineze, mirëqenia kombëtare i zëvendëson dëshirat dhe arritjet individuale. Si e tillë, Partia Komuniste e Kinës shpie një narrativë se vetëm partia mund të arrijë ëndrrën kineze për popullin kinez, raporton abcnews.al

Pra, kur dikush apo diçka perceptohet si kërcënim për qendrën e partisë, regjimi kalon në modalitetin e vetëruajtjes. Për shembull, kur disa në perëndim thanë se COVID mund të ishte projektuar në një laborator kinez, Ministria e Jashtme kineze u kundërpërgjigj ashpër duke miratuar një teori konspirative që Ushtria Amerikane solli virusin në Wuhan .

Prezantimi i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit për popullin kinez është thelbësor për këtë narrativë gjithëpërfshirëse që po krijon Xi dhe partia. Ata kanë nevojë që populli kinez t’i përmbahet ëndrrës kineze. Kjo nevojë është evidente në gjuhën që përdor Xi në deklaratat publike. Xi përdor shumë imazhe për të nxitur popullin kinez të marshojë së bashku me partinë në të njëjtën rrugë të vështirë drejt këtij vizioni të përbashkët të së ardhmes.

Teksa Kina vazhdon të ndërtojë ekonominë e saj dhe të rrisë statusin  me ngjarje të profilit të lartë si Lojërat Olimpike Dimërore, ajo po përpiqet gjithashtu t’i tregojë botës se modeli i saj i qeverisjes është suprem.

Këto lojëra janë një reklamë gjigante për Partinë Komuniste, duke ilustruar llojin e efikasitetit të mprehtë që qeveritë autoritare të teknologjisë së lartë mund të sjellin në ngjarje të kësaj përmasash. Mund të tregojë gjithashtu se sa e suksesshme ka qenë qeveria në frenimin e COVID, megjithëse kjo ka përfshirë izolimin e njerëzve në shtëpitë e tyre dhe trajtimin diskriminues të afrikanëve që jetojnë në Kinë.

Pra, kur audienca globale brohoriti për heronjtë e lojërave olimpike, ata brohoritën edhe për Partinë Komuniste, ishin dakord ose jo.

/abcnews.al