Pse Kuvendi nuk e shkarkon dot Presidentin sipas Bylykbashit (Video)

schedule20:08 - 13 Qershor, 2019

schedule 20:08 - 13 Qershor, 2019

Procedura për shkarkimin e Presidentit nuk ka nisur ende. Kështu u shpreh ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, këtë të enjte teksa foli për rezolutën që u miratua në Kuvend kundër vendimit të Presidentit Meta për zgjedhjet.

Bylykbashi tregoi më tej se pse Kuvendi i Shqipërisë edhe sikur të arrijë në një konkluzion nuk mund të shkarkojë Presidentin.

“Parlamenti i Shqipërisë nuk ka fare rol për t’u marrë me dekretin e Presidentit për zgjedhjet. Mocioni nuk ka vlerë as sipas rregullores aq më pak sipas Kushtetutës. Përcaktohet shumë qartë që duhet një kërkesë nga 1/4 e deputetëve. Ka një procedurë ku kërkohet ngritja e një komisioni hetimor nga parlamenti që parimisht kërkon që të jetë i paanshëm. Është një procedurë që duhet të nisë në një mënyrë specifike, pastaj nëse arrihet në një konkluzion arrihet në një vendimmarrje nga parlamenti me të paktën 94 vota, por çfarë? Për t’i bërë një propozim Gjykatës Kushtetuese, propozim për shkarkim. Shkarkimi është vetëm i Gjykatës Kushtetuese. Vlera e këtij mocioni, po themi rezolutës është zero përsa i përket procedurës për shkarkimin e presidentit. Nuk ka nisur”, tha ai gjatë rubrikës “Mbrëmje ABC” me Mirela Milorin.

Këtë çështje, ish-deputeti e sheh si shmangie vëmendjeje nga përgjimet e Bild.

“Ky është një moment tjetër për të krijuar një debat mbi një çështje që Edi Ramës i intereson. Sa më pak të flitet për një çështje, për përgjimet e Bild më i lumtur është Edi Rama”, tha Bylykbashi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!