Popullariteti i kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern, është i jashtëzakonshëm.
Ajo promovon prej kohësh ide politike që janë pothuajse përtej imagjinatës dhe së fundmi u shpreh se do të inkurajojë idenë që punonjësit të punojnë vetëm katër ditë në javë, gjë që ndër të tjera do të ndihmojë turizmin, shkruan The Guardian.
Kur u godit nga koronavirusi, Zelanda e Re ishte një ndër vendet e para që reagoi në mënyrë të menjëhershme duke numëruar vetëm 21 vdekje deri sot. Drejtimi i Ardern u vlerësua nga populli dhe në një sondazh të fundit, ajo është liderja më e popullarizuar e partisë së saj në më shumë se 100 vjet.
Turizmi është një industri e rëndësishme e Zelandës së Re dhe kryeministrja sugjeroi jo formalisht në një video live në Facebook se vendi mund të kalojë në një sistem punësimi me katër ditë pune në javë, gjë që do të nxisë turizmin e brendshëm, raporton abcnews.al
Karantinimi solli padyshim ndryshime thelbësore në punë shumë punonjës e gjetën veten më produktivë në shtëpi, orët e punës u riorganizuan.
Puna vetëm katër ditë në javë do të lehtësojë vështirësitë e prindërve me shkollimin e fëmijëve, do të kalojnë më shumë kohë bashkë si edhe do të ndikojë pozitivisht në rregullimin e problematikave sociale, që herë-herë janë edhe pasojë e ngarkesës në punë dhe mungesës së pushimeve. Sigurisht që një sistem i tillë nuk është zgjidhje universale e problemeve, por sidoqoftë pritet të jetë më produktiv, raporton abcnews.al
Nuk është çudi fakti që ajo gëzon kaq shumë popullaritet, për sa kohë udhëheqës të shumtë në botë po ndjekin strategji “shërimi”, pra rikthim pas për të përballuar krizën, ndërkohë që Ardern po guxon për të ecur përpara.
Jacinda Ardern në korrik të 2019-s u bë pjesë e kopertinës së Vogue si një nga 15 gratë që ka frymëzuar Meghan Markle.
Dy vite më parë, në shtator, hyri në librat e historisë si liderja e parë në botë që u shfaq në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me vajzën e vogël në krahë. Në prill të këtij viti, u konsiderua si një nga lideret gra që i treguan botës si përballohet një situatë si pandemia./abcnews.al