Pse Kosova mbeti jashtë Programit të Evropës Digjitale?

schedule16:08 - 7 Korrik, 2023

schedule 16:08 - 7 Korrik, 2023

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë për Kosovën, për shkak të tensioneve në pjesën veriore të vendit, kanë penguar nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit me Programin e Evropës Digjitale.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, që parasheh ndarje fondesh, është shtyrë për një datë të mëvonshme.

“Momentalisht, takime të nivelit të lartë apo ministror nuk janë duke u zhvilluar me Kosovën, prandaj Kosova nuk është ftuar në Dialogun e Dytë Rregullator BE-Ballkan Perëndimor dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Kosovën është shtyrë për një datë të mëvonshme”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së.

BE-ja dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbajtën një takim në fund të qershorit. Në atë takim, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshjet përkatëse me Komisionin Evropian dhe u bënë pjesë e Programit të Evropës Digjitale.

BE-ja ka bërë të ditur në fund të muajit të kaluar se ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese për Kosovën – përfshirë pezullime takimesh të nivelit të lartë dhe fondesh – për shkak të mospërfilljes së kërkesave të saj për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

BE-ja i ka kërkuar Kosovës që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja, por, deri më tash, nuk ka hapa në këtë drejtim.

Çka është Programi i Evropës Digjitale?

Vlera financiare e Programit të Evropës Digjitale kap shifrën prej 7.5 miliardë eurosh.

Me këtë buxhet, ky program synon të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike të vendeve që aspirojnë BE-në.

Përmes tij, qytetarët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe institucionet publike kanë mundësi të aplikojnë me projekte të ndryshme.

“Programi i Evropës Digjitale është një program i ri dhe, në momentin kur shkëmbehet një nënshkrim ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, subjektet kosovare do të mund të përfitojnë nga thirrjet e Programit të Evropës Digjitale”, thanë nga Zyra e BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Thirrjet e para për propozime, për vitet 2023-2024, janë hapur më 11 maj të vitit 2023 dhe do të mbyllen më 26 shtator të po këtij viti.

Kandidatët e suksesshëm nga vendet e asociuara, sipas BE-së, do të mund të përfitojnë mbështetje në fusha të ndryshme, si: të dhënat për BE-në dhe hapësirat e përbashkëta të të dhënave, inteligjenca artificiale, aftësitë e avancuara digjitale e të tjera.

Nga BE-ja thanë se Kosova, pasi që ta nënshkruajë marrëveshjen, do të mund të kualifikohet për ndihmë në krijimin e Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital. Këto qendra, sipas BE-së, ofrojnë shërbime për transformimin digjital të sektorit privat dhe publik.

“Pas asociimit, aplikuesit nga Kosova do të kenë mundësi të përfitojnë dhe t’iu përgjigjen thirrjeve të ardhshme të këtij programi”, thuhet në deklaratën me shkrim që Zyra e BE-së i dha REL-it.

Çka humb Kosova?

Ministria e Ekonomisë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar shtyrjen e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje dhe humbjet eventuale që pëson vendi.

Por, eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elshani, thotë se ky program digjital është shumë i rëndësishëm, pasi që siguron fonde për përballimin e sfidave të digjitalizimit.

“Shpresoj që edhe Kosova të jetë [pjesëmarrëse] në një të ardhme të afërt, sepse është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, si dhe për avancimin e shkathtësive digjitale”, thotë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se mospërfshirja e Kosovës në programin në fjalë e dëmton vendin.

Ajo thotë se mekanizmi që udhëheq, ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

“Nuk dimë asgjë se çfarë po ndodh. Është shqetësuese mospërfshirja në Programin e Evropës Digjitale. Nuk e dimë nëse është edhe ky një sanksion, Qeveria nuk na ka dhënë ndonjë informacion”, thotë Krasniqi, e cila vjen nga opozita, për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta dhe ka shfaqur shpresën se ato nuk do të zgjasin shumë.

Qeveria e tij ka miratuar, muajin e kaluar, Agjendën Digjitale 2030.

Ajo përshkruhet si një strategji qeveritare ndërsektoriale, e cila përcakton politikën dhe prioritetet e veçanta të Kosovës në kontekstin e transformimit të vazhdueshëm digjital të ekonomisë dhe shoqërisë.

Përmes kësaj agjende thuhet se Kosova do t’i përdorë mundësitë e zhvillimit të teknologjive të avancuara, “për t’u bërë një shoqëri e avancuar digjitale dhe për të mbështetur rritjen ekonomike dhe forcimin e konkurrencës kombëtare”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!