Pse ka mungesë të rezervave të gjakut në SHBA?

schedule13:40 - 14 Janar, 2022

schedule 13:40 - 14 Janar, 2022

Kryqi i Kuq Amerikan ka paralajmëruar për një “krizë kombëtare të rezervave të  gjakut”, për shkak të pandemisë. Sipas tyre, kjo është mungesa më e madhe e rezervave të gjakut në një dekadë.

Në një deklaratë të përbashkët nga Kryqi i Kuq Amerikan, Qendrat Amerikane të Gjakut dhe Shoqata për Avancimin e Gjakut dhe Bioterapive theksuan: “Gjatë javëve të fundit, ka pasur mungesa të revervave të gjakut, dhe nëse kjo situatë nuk stabilizohet së shpejti, gjendja e pacientëve të cilët kanë nevojë për gjak mund të përkeqësohet.”

Që nga fillimi i pandemisë, kriza e vazhdueshme e shëndetit publik ka pasur një ndikim në shumë fusha të kujdesit shëndetësor, por kufizimet përkatëse kanë dëmtuar veçanërisht sistemin kombëtar të dhurimit të gjakut.

Që nga marsi i vitit 2020, ka pasur një rënie prej 62% të sasisë së gjakut në shkolla dhe kolegje, pasi studentët kanë reduktuar kontaktet sociale. Në vitin 2019 këto grupe përbënin 25% të të gjithë dhuruesve të gjakut, por kanë kontribuar vetëm 10% të totalit gjatë pandemisë.


Ngarkesa e madhe e punës gjatë Covid-19 dhe sëmundjet brenda komunitetit të kujdesit shëndetësor kanë çuar në mungesa të stafit. Që nga fillimi i pandemisë, Kryqi i Kuq raportoi një rënie prej 10% në dhurimin e përgjithshëm të gjakut.

Kryqi i Kuq u ka bërë thirrje individëve që të dhurojnë gjak. Të gjitha llojet e gjakut janë në mungesë, por grupi i gjakut O-pozitiv, tipi O-negativ janë veçanërisht të rëndësishme, sipas organizatës.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!