Pse Izraeli po kërkon kontrollin e dy korridoreve në Gaza?

schedule08:04 - 21 Gusht, 2024

schedule 08:04 - 21 Gusht, 2024

Kërkesa e Izraelit për kontroll mbi dy korridoret strategjike në Gazë, të cilën Hamasi e ka refuzuar prej kohësh, kërcënon t’i prishë bisedimet e armëpushimit, që synojnë t’i japin fund luftës 10-mujore, lirimin e shumë pengjeve dhe parandalimin e një konflikti edhe më të gjerë.

Zyrtarët e afërt me negociatat kanë thënë se Izraeli dëshiron të mbajë një prani ushtarake në një zonë të ngushtë neutrale përgjatë kufirit Gazë-Egjipt, që e quan korridori i Filadelfit, dhe në një zonë që shkëput Gazën veriore nga ajo jugore, e njohur si korridori Netzarim.

Është e paqartë nëse kontrolli izraelit i këtyre korridoreve përfshihet në një propozim të mbështetur nga SHBA-ja për të cilin, sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje Hamasit ta pranojë, për të thyer një ngërç në bisedimet e armëpushimit. Blinken, i cili është kthyer në rajon këtë javë për të nëntën herë, ka thënë të hënën se Izraeli kishte rënë dakord me propozimin pa thënë se çfarë nënkupton ai.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se kontrolli i zonës kufitare me Egjiptin është i nevojshëm për të parandaluar Hamasin nga rifurnizimi me arsenal ushtarak përmes tuneleve të kontrabandës dhe se Izraelit i duhet një “mekanizëm” për të parandaluar kthimin e militantëve në veri, i cili ka qenë kryesisht i izoluar që nga tetori.

Hamasi i ka hedhur poshtë këto kërkesa, të cilat janë bërë publike vetëm javët e fundit. Në draftet e mëparshme të propozimit nuk ishte përmendur që Izraeli të mbante kontrollin e korridoreve.
Hamasi thotë se çdo prani e qëndrueshme izraelite në Gazë do të përbënte pushtim ushtarak. Egjipti, i cili ka shërbyer si një ndërmjetës i rëndësishëm në bisedimet disamujore, është gjithashtu fuqimisht kundër një pranie izraelite në anën tjetër të kufirit të tij me Gazën.

Cilat janë korridoret dhe pse i do Izraeli?

Izraeli thotë se Hamasi përdori një rrjet të gjerë tunelesh nën kufi për të importuar armë, duke e lejuar atë të ndërtojë makinën ushtarake që  e përdori në sulmin e 7 tetorit, që shkaktoi luftën. Ushtria thotë se ka gjetur dhe shkatërruar dhjetëra tunele që nga kapja e korridorit në maj.

Egjipti i hedh poshtë këto akuza, duke thënë se shkatërroi qindra tunele në anën e tij të kufirit vite më parë, dhe krijoi një zonë neutrale ushtarake të vetën që parandalon kontrabandën.

Ndërkaq, korridori Netzarim, me gjatësi prej afërsisht 6 kilometrash, shtrihet nga kufiri izraelit deri në bregun në jug të qytetit të Gazës, duke shkëputur zonën më të madhe  të territorit dhe pjesën tjetër të veriut nga jugu.

Hamasi ka kërkuar që qindra mijëra palestinezë që ikën nga veriu të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Izraeli ka rënë dakord për kthimin e tyre, por dëshiron të sigurojë që ata të mos jenë të armatosur.

Pse Hamasi dhe Egjipti janë kundër kontrollit të Izraelit?

Kontrolli izraelit mbi secilin korridor do të kërkonte rrugë të mbyllura, gardhe, kulla roja dhe instalime të tjera ushtarake. Pikat e kontrollit janë ndër manifestimet më të dukshme të sundimit të hapur ushtarak të Izraelit mbi Bregun Perëndimor dhe mbi Gazën.

Izraeli thotë se pika të tilla kontrolli janë të nevojshme për sigurinë, por palestinezët i shohin ato si një shkelje poshtëruese në jetën e tyre të përditshme. Ato gjithashtu do të shiheshin nga shumë palestinezë si një hap për një pushtim të qëndrueshëm ushtarak dhe kthimin e vendbanimeve hebraike – diçka për të cilën, partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të Netanyahut kanë bërë thirrje hapur.

Hamasi ka kërkuar një tërheqje totale të Izraelit dhe akuzon Netanyahun për vendosjen e kushteve të reja për të sabotuar bisedimet. Egjipti thotë se operacionet e Izraelit përgjatë kufirit kërcënojnë traktatin historik të paqes të vitit 1979 midis dy vendeve. Ajo ka refuzuar të hapë anën e saj të kalimit Rafah derisa Izraeli të kthejë anën e Gazës nën kontrollin palestinez.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!