Pse frikësohemi nga e panjohura

schedule18:04 - 11 Gusht, 2022

schedule 18:04 - 11 Gusht, 2022

Imagjinoni sikur jeni duke pritur përgjigje nga një punëdhënës i ri i mundshëm, për një ofertë pune shumë të mirë. Intervistuesi juaj ishte i vështirë për t’u lexuar nga pamja e jashtme. Ndaj nuk ka asnjë mënyrë për ta hamendësuar rezultatin.

Me kalimin e ditëve, a dëshironi shumë që ta dini rezultatin – qoftë ky një lajm i keq – në vend se të duroni qoftë një minutë më shumë pritje torturuese?  Po ndjenjat tuaja gjatë takimit? Do të preferonit që dikush t’ju thoshte paraprakisht, se nuk do t’ju shohë më, në vend se të prisnit që telefoni juaj të sinjalizojë mbërritjen e një mesazhi të ri?

Në të dyja skenarët – dhe shumë të tjera – ndjenja e pasigurisë mund të shkaktojë shumë siklet. Për disa njerëz, paaftësia e përgjithshme për të reaguar në situata të paqarta, mund të nxisë edhe çrregullime kronike të ankthit.

“Pasiguria mund të intensifikojë ndjesinë e kërcënimit që kemi mbi një situatë”- thotë Ema Tanoviç, psikologe në “Boston Consulting Group”, që ka hulumtuar për një kohë të gjatë pasojat e pasigurisë për Universitetin e Jeilit.

Shkencëtarët, përfshirë Tanoviç, po bëjnë tani hapa të mëdhenj përpara, për të shpjeguar se përse pasiguria mund të jetë kaq torturuese, dhe për të përcaktuar pasojat e dëmshme për vendimmarrjen dhe sjelljen tonë. Duke i kuptuar këto mekanizma, ne mund të mësojmë t’i lehtësojmë këto lloj ndjenjash, dhe ndoshta të jemi psikologjikisht mirë edhe nën frikën e së panjohurës.

Njohuritë tona mbi efektet e pasigurisë në tru dhe trup, vijnë nga një seri studimesh paksa sadiste. Në një eksperiment tipik, pjesëmarrësit lidhen me disa elektroda, të afta për të dhënë goditje elektrike të padëmshme, por paksa të dhimbshme në lëkurë, ndërsa studiuesit matin reagimet fiziologjike që priren të lidhen me stresin, si djersitja e lëkurës, apo ndryshimet në madhësinë e bebes së syrit.

Studim pas studimi, studiuesit kanë zbuluar se çdo element i paparashikueshmërisë e shton ndjeshëm shqetësimin e njerëzve, pavarësisht se nuk ka një dallim objektiv në intensitetin e goditjes elektrike. Pjesëmarrësit shfaqin një stres më të madh kur ka një shans 50 për qind që ata të mund të marrin një goditje, në krahasim me situatat kur kanë një siguri 100 për qind se do të goditen nga rryma.

Në një studim të kohëve të fundit, Tanoviç u kërkoi pjesëmarrësve të luanin një lojë të quajtur “Detyrat e pritjes së pasigurt”. Ajo nuk kërkon shumë aftësi, dhe gjatë provave të ndryshme, pjesëmarrësit kanë mundësinë të fitojnë pak para.

Rezultati i çdo prove është rastësor, por pjesëmarrësit kanë të drejtën të bëjnë një zgjedhje për të ditur menjëherë rezultatin, në vend se të presin disa sekonda para se ta zbulojnë atë. Por kjo dijeni paraprake, vjen me një koto:nëse e fitojnë provën, do të kenë më pak shanse për të fituar, dhe përfitimi do të jetë më i vogël.

Pavarësisht se ishte opsioni më racional, vetëm 37 për qind e pjesëmarrësve zgjodhën të prisnin gjatë çdo prove. Pjesa tjetër ishte gati të përjetonte një humbje financiare, vetëm për të shmangur pritjen plot ankth si pasojë e një gjendje pasigurie. Tanoviç thotë se shumë situata në jetën e përditshme, shkaktojnë të njëjtin reagim.

“Njerëzit mund të përpiqen shumë që ta reduktojnë pasigurinë dhe ankthin që vjen bashkë me të, si telefonatat e vazhdueshme ndaj një personi të dashur për t’u siguruar që ai është mirë, dërgimi i pandërprerë i mesazheve, kur ata nuk kanë kthyer ende përgjigje etj. Ndonjëherë funksionon, dhe sjellja e zgjidh pasigurinë. Por këto veprime mund të jenë shpesh shumë të kushtueshme sa i përket kohës, përpjekjeve dhe efektit në marrëdhënie”- thotë Tanoviç.

Neuroshkencëtarët kanë filluar të gjurmojnë aktivitetin e trurit që qëndron pas kësaj vendimmarrjeje. Studimet janë në ende në vazhdim, por rezultatet e deritanishme ofrojnë disa sugjerime mbi reagimin nervor ndaj pasigurisë. Kështu duket se ka një aktivitet të shtuar në amigdalë, që mund të pasqyrojë një gjendje të “hipervigjilencës”.

Pra ne jemi më vigjilentë ndaj rreziqeve të mundshme. Po ashtu, pasiguria duket se shkakton aktivizimin e insulës ballore, që është e përfshirë në peshimin e pasojave të një ngjarjeje të veçantë, dhe që mund të ekzagjerojë vlerësimet që bën truri për dëmin e mundshëm në një situatë të caktuar.

Reagimet tona ndaj pasigurisë, mund të kenë pasur kuptim edhe gjatë evolucionit. Truri përpiqet vazhdimisht të parashikojë se çfarë do të ndodhë më pas, dhe kjo i jep mundësinë të përgatisë trupin dhe mendjen në mënyrën më efektive të mundshme.

Në situata të pasigurta, ky planifikim është shumë më i vështirë. Dhe nëse jeni duke u përballur me një grabitqar apo një armik njerëzor, reagimi i gabuar mund të ketë pasoja vdekjeprurëse. Si rezultat, mund të jetë e dobishme që të gaboni në aspektin ekujdesit – ose duke shmangur plotësisht pasigurinë, ose duke e vendosur trurin dhe trupin në një gjendje të eksituar që është gati të reagojë ndaj një situate në ndryshim.

“Trajtimi i të panjohurve si kërcënime të mundshme është një sjellje adaptive”- thotë Nikolas Karlton, profesor i psikologjisë në Universitetin Mbretëror të Kanadasë. Sipas tij “e panjohura” përfaqëson një nga “frikërat themelore” të njerëzimit, dhe është ndoshta edhe më e rëndësishme për sjelljen tonë sesa frika nga vdekja.

Njerëzit që shfaqin një intolerancë të madhe ndaj pasigurisë, priren të kenë reagime më stresuese ndaj situatave të pasigurta. Po ashtu ata priren ta kenë të vështirë të braktisin frikën, edhe pasi të jetë vendosur siguria. Intoleranca e lartë ndaj pasigurisë, rrit ndjeshëm cenueshmërinë e dikujt ndaj një sërë çrregullimesh të ankthit dhe depresioni, pasi frika zgjat shumë kohë dhe pasi ka kaluar kërcënimi i mundshëm.

Karlton thotë se shumë psikoterapi ekzistuese, mund ta rrisin tolerancën e njerëzve ndaj pasigurisë. Për shembull terapia konjitive e sjelljes, mund t’i mësojë njerëzve sesi ta ndalin “katastrofizimin” e mendimeve, që mund të shkaktohet nga një ngjarje e paparashikueshme, apo të vënë në dyshim aftësinë e tyre për t’u përballuar me pasigurinë.

Pavarësisht nëse vuani apo jo nga një çrregullim klinik, vlen të mos harroni se përpjekjet për të parashikuar të ardhmen janë shpesh krejtësisht të kota. “Kur shqetësohemi, mendojmë për rezultatet e mundshme të një situate të pasigurt, në një përpjekje për të qenë disi të përgatitur. Por në realitet, shqetësimi nuk e zvogëlon pasigurinë me të cilën përballemi. Përkundrazi na bën të ndihemi më të shqetësuar”-thotë  Tanoviç.

Siç na mësuan dikur stoikët e lashtë, ne do të bënim shumë më mirë të pranonim paaftësinë tonë për të kontrolluar situatën. Madje në disa raste, mund të jemi në gjendje të kuptojmë se pasiguria mund të jetë një burim eksitimi.

Tek e fundit, jeta do të ishte shumë e mërzitshme, në rast se rezultati i çdo ngjarjeje do të dihej paraprakisht. Duke mësuar ta pranojmë këtë fakt, ne mund të jemi më të përgatitur për t’u përballur me momentet shqetësuese.