Nga Elise Labott “Foreing Policy”
Ta quash 2021-in si“verën e pakënaqësisë” do të ishte një nënvlerësim i madh. Nga Kuba në Afrikën e Jugut, nga Kolumbia në Haiti, protestat e dhunshme po përfshijnë gjithnjë e më shpesh çdo cep të globit, ndërsa qytetarët e zemëruar po dalin nëpër rrugë.
Secili vend ka histori dhe realitete të ndryshme në terren, sidomos Haiti, ku vitet e dhunës dhe korrupsioni qeveritar arritën kulmin dy javë më parë me vrasjen e presidentit Jovenel Moïse. Por të gjithë u përballën me një stuhi të përsosur të vështirësive para-ekzistuese sociale, ekonomike dhe politike, të cilat pandemia e Covid-19 vetëm sa i rëndoi akoma më tej.
Dhe ato janë thjesht një paralajmërim i trazirave globale post-koronavirus që po afrojnë, teksa tensionet ekzistuese në vendet anembanë botës po shndërrohen në trazira më të gjera civile, dhe rebelime kundër vështirësive ekonomike dhe pabarazisë së thelluar më tej nga pandemia.
Pandemia e koronavirusit ishte dikur një krizë që godiste një herë në një shekull. Ajo tronditi jo vetëm sistemet shëndetësore të vendeve, por kërkoi edhe një reagim që ndikoi – dhe u formësua nga konsideratat ekonomike, politike dhe ato të sigurisë.
Përpjekjet për ta frenuar atë, mund të kenë frenuar vdekjet masive në një periudhë afatshkurtër, por ato kanë thelluar pa dashje dobësitë, të cilat kanë hedhur bazat për dhunë, konflikte dhe trazira politike afatgjata. Ato duhet të shërbejnë si një shenjë rreziku për udhëheqësit botërorë kur të rihapen vendet, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Historia është plot me shembuj të pandemive si inkubatorë të trazirave shoqërore, nga Vdekja e Zezë deri tek Gripi Spanjoll, apo shpërthimi i madh epidemik i kolerës në Paris, i përjetësuar në romanin “‘Të mjerët” të Victor Hugo.
Thelbi i saj gjatë gjithë kësaj kohe është një pabarazi e përhapur. Covid-19 ka thelluar ndarjet e hapura ekonomike, dhe e ka bërë jetën më të vështirë për grupet tashmë të rrezikuara, përfshirë gratë, vajzat dhe pakicat. Po ashtu ai ka nxjerrë në pah dobësitë në sigurinë ushqimore, dhe ka rritur në mënyrë dramatike numrin e njerëzve të prekur nga uria kronike.
OKB vlerëson se rreth 1/10 e popullsisë globale – 720 deri në 811 milionë njerëz – ishin të keq-ushqyer vitin e kaluar. Ndikimet e ndryshimit të klimës dhe degradimit të mjedisit vetëm sa e kanë shtuar dëshpërimin. Vende si Etiopia dhe Sudani në Afrikë, po përjetojnë krizat më të këqija humanitare në botë, me nivele katastrofike të urisë.
Thatësira dhe karkalecat po vijnë në një kohë kritike për fermerët që janë ti gati të vjelin të korrat. Mungesa globale e vaksinave po e nxit më tej destabilitetin. Shumica e vendeve në Afrikë po mbetet shumë prapa pjesës tjetër të botës me vaksinimet.
Kjo do të thotë se Covid-19 do të vazhdojë që të kufizojë ekonomitë kombëtare, dhe nga ana tjetër, të bëhet një burim i paqëndrueshmërisë së mundshme politike. E njëjta gjë është e vërtetë për pjesën më të madhe të Amerikës Latine dhe Azisë, ku vendet që nuk kanë vaksina të mjaftueshme për të mbrojtur popullsinë e tyre dhe burimet e protestës – si rritja e kostove të jetesës dhe thellimi i pabarazive – me shumë gjasa do t`i shtojnë pakënaqësitë.
Kompania e vlerësimit të riskut “Verisk Maplecroft”, paralajmëron se deri në 37 vende të botës mund të përballen me lëvizje të mëdha proteste nga tani deri në 3 vitet e ardhshme.
Një studim i ri nga “Mercy Corps” që shqyrton ndërlidhjen midis Covid-19 dhe konflikteve,zbuloi tendencat që paralajmërojnë shpërthimin e konflikteve të reja, thellimin e atyre ekzistuese, si dhe përkeqësimin e nivelit të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së shkaktuar nga reagimi ndaj pandemisë.
Grupi identifikoi rënien e besimit të publikut tek qeveritë dhe institucionet, si një faktor kryesor të destabilitetit. Njerëzit në shtete të brishta, që vuajnë tashmë nga besimi i zvogëluar ndaj qeverisë së tyre, janë ndjerë më të braktisur, teksa po përballen me krizën e shërbimeve publike, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe vështirësi të mëdha ekonomike, si papunësia dhe ulja e pagave.
Ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit gjatë pandemisë, ka sjellë rritjen e çmimeve të ushqimeve, ndërsa për shkak të recesionit global po shkurtohen buxhetet e ndihmës humanitare, duke i sjellë shumë vende të varfra në pragun e urisë masive.
Për herë të parë në 22 vitet e fundit, varfëria ekstreme -me njerëz që jetonin me më pak se 1.9 dollarë në ditë – ishte në rritje vitin e kaluar. Oxfam International vlerëson se“mund të duhet më shumë se një dekadë, që më të varfrit në botë ta marrin veten nga ndikimet ekonomike të pandemisë”.
Goditjet e shkaktuara nga pandemia e kanë prishur kohezionin social, duke shkatërruar më tej marrëdhëniet midis komuniteteve, dhe duke e thelluar polarizimin. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Shtetet e Bashkuara, ku presionet sociale dhe politike e thelluan krizën shëndetësore dhe u përkeqësuan prej kësaj të fundit.
Kjo duhet të shërbejë si një zile alarmi për vendet, se ato nuk mund të përgatiten, apo të reagojnë si duhet ndaj krizave të ardhshme shëndetësore mbi një vakum. Përkundrazi, ato duhet ta parashikojnë një krizë ekonomike, politike dhe sociale.
Dhe kjo gjë është e vërtetë për çdo goditje të rëndë, e cila bart me vete potencialin për një prishje të rendit publik. Bllokimet dhe shfaqjet e unitetit kombëtar të nxitura nga kriza, e kanë maskuar disi efektin e plotë të pandemisë, që do të bëhet më i dukshëm me rihapjen e plotë të ekonomive.
Ndikimet jo-shëndetësore të Covid-19 do të tejkalojnë dëmet nga sëmundja. Është kjo arsyeja pse ndihma për parandalimin e konflikteve duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të rimëkëmbjes nga Covid-19, në mos pjesa më thelbësore për to.
SHBA ka në dispozicion një mjet të gatshëm për të ndihmuar:Aktin Global të Brishtësisë 2019. Ky ligj konsensual nxit një përpjekje bashkëpunimi midis agjencive ligj-zbatuese rreth parandalimit të konfliktit në vende të paqëndrueshme, dhe e drejton ndihmën e huaj drejt parandalimit të dhunës, duke investuar dhe mbështetur programe të zhvillimit humanitar
dhe të ruajtjes së paqes, për t’i ndihmuar vendet të largohen nga kriza dhe për të ndërtuar një qëndrueshmëri dhe stabilitet afatgjatë.
Shënim:Elise Labott ndihmës/profesore në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan. Si korrespondente e CNN për dy dekada, ajo ka raportuar nga më shumë se 80 vende të botës./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al