PS zbut pragun kombëtar, Hajdari: Ofendim! Nuk e pranojmë, duam lista 100% të hapura

schedule12:27 - 2 Tetor, 2020

schedule 12:27 - 2 Tetor, 2020

Rudina Hajdari ka reaguar pas propozimit të amendamenteve të PS në Komisionin Parlamentar për çështjet Ligjore. Me propozimet e reja PS parashikon diskutimet për uljen nga 3% në 1% të pragut kombëtar.

Sipas, Hajdarit, propozimi i PS është ofendim jo vetëm për opozitën parlamentare por mbi te gjitha për shqiptarët. Deputetja thekson se nuk e pranojnë dhe se duan lista 100% të hapura.

LEXO EDHE: PS bën disa tërheqje nga Kodi Zgjedhor: Zbutet pragu kombëtar, “hileja” me kryetarin

“Propozimi i sotëm i Partisë Socialiste është një ofendim jo vetëm për opozitën parlamentare por mbi të gjitha për shqiptarët. Praktikisht është i njëjti propozim si ai i mëparshëm, thjesht i artikuluar ndryshe me më shume hile dhe truke brenda. Është për tu keqardhur se si Parlamenti nga një institucion serioz i cili duhet ti shërbejë qytetarëve dhe Shqipërisë është kthyer në strehë intrigantësh që mendojnë nga mëngjesi deri në darkë se si t’ia hedhin qytetarëve. Ne nuk e pranojmë këtë propozim, ne duam lista të hapura 100%, pa truke e pa hile. Duam që deputetët ti vendosë qytetari dhe jo kryetari. Duam demokraci reale dhe jo kryetarokraci që përdor pushtetin për të grabitur vendin e pasuruar nga një grusht njerëzish. Mirëqënia e Shqipërisë kalon vetëm nëpërmjet demokracisë dhe për këtë ne nuk negociojmë”, është shprehur Hajdari për mediat.

Ndërkaq, pas propozimit të PS, opozita parlamentare bojkotoi mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. g.v/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!