PS vendos për fatin e tij, Meta refuzon të shkojë nesër në parlament

schedule21:31 - 8 Qershor, 2021

schedule 21:31 - 8 Qershor, 2021

Nesër Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në një seancë të posaçme për të votuar nismën e Partisë Socialiste për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.

Për të larguar Ilir Metën nga Presidenca duhen 94 vota, të cilat në bashkëpunim me opozitën e re, duket se PS i ka të garantuara, por nëse do të ndodhte do të ishte hera e parë në Shqipërinë pluraliste në 30 vite demokraci.

Seanca parashikon tre orë debat dhe më pas votimin, jo me elektronikë, por letër, të fshehtë. Gazetarja e ABC, Esiona Konomi u shpreh në emisionin “Log” se Kuvendi i kërkoi Presidentit që të ishte në seancën e së mërkurës, por kreu i shtetit nuk ka pranuar që të ishte i pranishëm për të parë gjyqin publik që do i bëhej, pa të drejtë fjale, por vetëm për të qëndruar për të dëgjuar.

Por për cfarë akuzohet Ilir Meta në raportin 41 faqesh që Komisioni Hetimor përgatiti me shpejtësi për t’ja çuar Kuvendit?

Ilir Meta akuzohet nga socialistët për ashpërsimin e klimës parazgjedhore, konfliktin me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim dhe braktisjen e rolit të simbolit të unitetit kombëtar, mbi palët duke bërë fushatë për opozitën kundër qeverisë.

Por edhe nëse Kuvendi nesër miraton shkarkimin, Ilir Meta do të vazhdojë të jetë kryetari i shtetit pasi vendimin final e merr gjykata Kushtetuese. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!