Pak përpara votimit, dhe në kundërshtim me sa kishin deklaruar më parë, socialistët u tërhoqën nga paketa antishpifje. Kreu i grupit mazhoritar, Taulant Balla kërkoi që Dekreti i Presidentit për ligjin e AMA-s, të mos rrëzohej, por të pritej opinioni i Komisionit të Venecias, parashikuar për në mars.
“Dekreti i presidentit nuk ka të bëjë aspak me thelbin e ligjit, është më shumë qëndrim politik. Komisioni i Venecias ka pranuar ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar. Sa i përket ligjit për mediat audiovizive diskutimi të shtyhet deri sa Komisioni i Venecias të sjellë raportin”, u shpreh Balla.
Ndërkohë Presidenti Ilir Meta e përshëndeti kthesën e socialistëve.
“Është një hap shumë pozitiv. Reflektimi i shërben në çdo rast një qëllimi më të madh, të përbashkët”, tha Meta.
Shtyrja e vendimit u përshëndet dhe nga Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, i cili tha se mezi priste opinionin e Venecias.
Paketa anti-shpifje u dërgua në Komisionin e Venecias nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Më herët, gazetarë dhe shoqata mediash brenda e jashtë vendit, si dhe institucione ndërkombëtare kundërshtuan paketën anti-shpifje, si një rrezik për lirinë e shprehjes dhe për të drejtat e gazetarëve./abcnews.al