Partia Socialiste ka firmosur në Kuvend ndryshimet e dy ligjeve, që i vendosin afat Presidentit të Republikës për betimet në gjyqësor. Nëse Meta nuk i thërret brenda 10 ditësh, atëherë në ligj parashikohet betimi me shkrim. Propozimi vjen pas konfliktit mes Kuvendit dhe Presidentit, për emërimin e gjyqtareve kushtetuese, Marsida Xhaferllari dhe Arta Vorpsit.
Deri më tani presidenti nuk ka pasur një afat për betimin e asnjë zyrtari. Kështu, socialistët e korrigjojnë ligjin, psh, për Gjyqtarët Kushtetues, duke tentuar të shmangin rastin e përplasjes për Marsida Xhaferllarin dhe Arta Vorpsin.
“Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetutese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”
Në ndryshimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ka edhe një nen, i cili duket se është shkruar për t’i dhënë mundësi Arta Vorpsit të hyjë në Gjykatën Kushtetuese, si anëtare në vend në Marsida Xhaferllarit.
“Gjyqtarët e zgjedhur, të emëruar ose të shpallur të emëruar, por që nuk kanë bërë betimin, me hyrjen në fuqi të këtij ligji betohen sipas rregullave të këtij ligji.”
Ndryshime propozohen dhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku betimi për Gjykatësit e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, apo Prokurorët specialëë të SPAK, betohen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë brenda 10 ditësh.
Presidenti i Republikës, tha se nuk provokohej nga këto nisma të mazhorancës.
“Presidenti i Republikës nuk është në punë, nuk është tashmë as në detyrë, është në mision nuk provokohet nga cicmice të tilla, nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti i Republikës, ka qenë, është dhe do të jetë garant i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, tha Meta./abcnews.al