PS-PD dakordësi për formulën e mandateve/ Lista e mbyllur vetëm 1/3 e saj, 2/3 e hapur

schedule16:37 - 24 Korrik, 2024

schedule 16:37 - 24 Korrik, 2024

Dakodësia për votën e diasporës u arrit javën e shkuar por këtë të mërkurë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike dolën me një draft të përbashkët edhe për formulën e shpërndarjes së mandateve në parlament.

Drafti që do të miratohet të mërkurën  në Komisionin e Ligjeve, parashikon që lista të jetë e mbyllur në 1/3 e saj dhe e hapur në 2/3.

Mazhoranca dhe opozita po shkojnë drejt finalizimit të detajimeve të draft/ligjit për votën e diasporës. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit do të miratohen me akt normativ të KQZ-së brenda 90 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Ndërkaq, KQZ-ja do të regjistrojë zgjedhësit që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Procesi i hartimit të listës së këtyre zgjedhësve fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date.

KQZ do të dërgojë nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ.

Pas miratimit të draftit që pritet të ndodhë të premten në parlament, KQZ do të ndërtojë dhe mekanizma monitorues ku partitë politike do të mund të monitorojnë hap pas hapi të gjithë procesin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!