PS padit sërish KQZ, rregullatori nuk miratoi karakteristikat teknike të fletës së votimit në Himarë

schedule11:30 - 23 Korrik, 2024

schedule 11:30 - 23 Korrik, 2024

Në zgjedhjet e 4 gushtit për bashkinë e Himarës do të garojnë njëmbëdhjetë Parti Politike.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar subjektet që do jenë pjesë e procesit.

Socialisti Vangjel Tavo do të kandidojë në zgjedhjet e pjesshme përballë Petro Gjikurisë, pas shpalljes së pavlefshëm nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të mandatit të Fredi Belerit, i cili nuk u betua dhe nuk ushtroi detyrën si kryetar bashkie për asnjë ditë.

Regjistrohet edhe Partia Demokratike me shkronjat nismëtare PD dhe me drejtues komitetin nismëtar të përfaqësuar nga zoti Sali Berisha”, ka thënë kreu i KQZ Ilirjan Celibashi.

Por, mosdakordësitë mes palëve në Komisionin Rregullator për karakteristikat e fletës së votimit për zgjedhjet në Himarë ka sjellë një padi ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Socialiste.

Vendimi:

Në datën 23.07.2024, ora 12:00, në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë, do të hidhet shorti për përcaktimin e trupit gjykues për gjykimin e Kërkesëpadisë Nr.4 Regj.Themeltar Dt.22.07.2024 Regjistrimi, me:

PADITËSE:  Partia Socialiste e Shqipërisë.

I PADITUR:  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator.

OBJEKTI:  – Kundërshtim ndaj mosmarrjes vendim nga Komisioni Regullator në KQZ, “Për miratimin e disa karakteristikave teknike të fletës së votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024”.

                      – Gjykimin e çështjes në themel nga ana e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë dhe miratimin nga ana e Kolegjit të disa karakteristikave teknike të fletës së votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024, sipas projektvendimit të propozuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e Komisionit Rregullator të datës 19.07.2024.

Për dijeni, Komisioni Rregullator në KQZ rezulton të ketë disponuar Vendim Nr.3 Dt. 19.07.2024 “Për miratimin e disa karakteristikave teknike të fletës së votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024”, në përmbajtje të të cilit është pasqyruar edhe shënimi:

Në zbatim të pikës 3, të nenit 20, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndyshuar, akti nuk mori numrin e kërkuar të votave për t’u konsideruar i miratuar” (3 prej anëtarëve të Komisionit Regullator kanë votuar pro dhe 2 anëtarë kanë votuar kundër).