“Nuk e harrova Tiranën e lënduar”, Rama jep projeksionin elektoral: Tirona ha buk veç, marrim 20 mandate

schedule20:55 - 9 Maj, 2025

schedule 20:55 - 9 Maj, 2025

TIRANË- Partia Socialiste në qarkun e Tiranës do të marrë 20 mandate deputeti. Ky ishte projeksioni i kryesocialistit Edi Rama, i cili tha se Tirana është krenaria kombëtare e Shqipërisë, pasi Tirana është e të gjithëve, ndërsa e quajti Tiranën të lënduar, pas arrestimit të Veliaj.

“Po Tiranën! Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit, e harrova vallë që nuk e rendita në listën e qarqeve me mandatet e tyre, nuk e harrova, natyrisht. Po, pse atëherë e lashë jashtë listës së mësipërme? Ndërkohë që brenda nesh debati lidhur me sondazhet, lidhur me të dhënat nga terreni, është se në Tiranë ne do të marrim një apo dy plus, duke shkuar nga 18 në 20. Nuk e harrova, por e lashë veç, sepse “Tirana ha bukë veç”. Është jo vetëm kryeqyteti dhe qarku më i madh i Shqipërisë, me shumë diferencë nga i dyti, por Tirana është dhe krenaria jonë më e madhe, jo thjesht si qytetar të saj, po si shpëtimtarët dhe transformuesit e saj që i kemi dhënë këtij qyteti dikur të mbytur në llumin e kënetës, sharmin e pamohueshëm të Europës.

A ju kujtohet ça ishte këtu ku jemi mbledhur sot, edhe rrimë për qejf mbi gjelbërim? Kënetë! A ju kujtohet ça ishte nga do hidhje sytë nëpër Tiranë? Kënetë!

I kam parë zogjtë dhe minjtë e kënetës të shfaqen gjatë këtyre javëve nëpër ca rrugica të pashtruara pranë ca kazanëve të mbingarkuar për të lajmëruar ditën e qametit për mua dhe për ju, dhe ardhjen e sherbetit për ta dhe për bufin e tyre. Mjerë, mjerë, mjerë ky vend për ta.

Po unë këtu s’e kam me ta, po e kam me të gjithë ata tironsa dhe tiranas me rrënjë të vjetra dhe me degë të reja, në këtë Amerikën tonë të vogël, ku ka 1001 gjëra për të rregulluar, po ama ka një gjë të madhe për të mos e harruar, këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që e kthyen në jetë dhe që i dhanë identitet, i dhanë famë, i dhanë dinjitet domethënë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër!

Këtë qytet do ta bëjmë më të kamur, më të bukur, më solidar me më të dobëtit, më të sigurtë për më të vegjëlit dhe më krenarë për të gjithë. Vetëm ata që ia pastruan baltën nga fytyra, që ia larguan çibanët nga trupi, që e veshën e zbukuruan, ia shumëfishuan vlerën pa pushim pronës së qytetarëve të tij dhe shumëfishuan pa ndalim fuqinë e organizmit të tij. Këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që jo vetëm e duan por edhe e dinë ç’është e bukura dhe ç’është fuqia e të bukurës, vetëm ata që jo thjesht ndërtojnë kopshte, shkolla, palestra, çerdhe , kënde lodrash, parqe, lulishte, infrastrukturë, më shumë se të tërë tjerët bashkë në dekada të tëra, por që në çdo gjë që ndërtojnë, sjellin më shumë Europë në Tiranë dhe në Shqipëri.” tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!