Sondazhi/ PS-ja 39-48 bashki, pavarësisht sesi konfigurohet opozita

schedule09:37 - 9 Janar, 2023

schedule 09:37 - 9 Janar, 2023

Nga Eduard Zaloshnja

Në një pyetësor që u shpërndava elektronikisht në fundjavë 10 mijë banorve të rritur të Shqipërisë (në mënyrë krejtësisht rastësore), ishin disa pyetje rreth prirjes për të votuar kandidatë lokalë për kryebashkiakë. Të anketuarit kishin opsione të ndryshme si “Do të votoj sot për kandidat socialist”, “Ndoshta do të votoj për kandidat socialist”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Berishës”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Berishës”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Alibeajt”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Alibeajt”, duke krijuar skenarë garash dyshe dhe garash treshe.

Meqë pothuaj 5700 zgjedhës të prirur për të votuar e plotësuan pyetësorin e sipërpërmendur, isha në gjendje të bëja ekstrapolime statitistikore të përafërta në rang kombëtar. Nga ekstrapolimi i përgjigjeve të të anketuarve (ku përfshiheshin mosha, gjinia, zona e banimit – urbane apo rurale – bashkia ku banoni – Tiranë apo bashki tjetër – votimi i tyre më 25 prill 2021, simpatia për politikanët kryesorë kombëtarë, etj.), më rezultoi se rreth 760 mijë shqiptarë janë të vendosur qysh sot të votojnë për kryebashkiakë socialistë, pavarsisht nëse përballë tyre do të jenë dy apo vetëm një konkurent. Nga ana tjetër, rreth 660 mijë janë të vendosur qysh sot të votojnë për kryebashkiakë të Berishës apo Alibeajt.

Duke ndërthurur përgjigjet e 5700 të anketuarve me të dhënat historike elektorale të 5200 qendrave të votimit që ka Shqipëria, ndërtova një model simulacioni statistikor, për të llogaritur përafërsisht numrin e bashkive që do të fitonte PS-ja, në qoftë se zgjdhjet do të ishin zhvilluar sot. Nga 10 mijë simulacione të modelit statistikor (që eksploruan të gjitha mundësitë brenda intervaleve të rezultateve të sondazhit dhe të të dhënave historike elektorale të 5200 qendrave të votimit), më rezultoi se PS-ja sot do të fitonte në 39-48 bashki të vendit.

Siç është demonstruar në grafikun më poshtë, probabiliteti më i madh për fitoren e PS-së në bashki të ndryshme është përqendruar në intervalin 41-44 bashki. Kuptohet që në qoftë se opozita futet e ndarë në garë, gjasat janë për anën e sipërme të intervalit, dhe anasjelltas. Sidoqoftë, epërsia aktuale prej 100 mijë votuesish të vendosur i garanton PS-së mbi 40 bashki, në qoftë se kjo epërsi nuk ngushtohet deri më 14 maj…

Shënim statistikor: Në zgjedhjet lokale të 2015-ës (të fundit që ishin kompetitive), mazhoranca e atëhershme pati rreth 120 mijë vota epërsi dhe fitoi në 45 bashki.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!