PS i lë “topin” në derë për vettingun, PD: Nuk kemi asnjë kërkesë nga partnerët

schedule15:00 - 12 Tetor, 2021

schedule 15:00 - 12 Tetor, 2021

Brenda kësaj jave, Partia Socialiste do të depozitojë në Kuvend zyrtarisht amendamentin kushtetues që e zgjat me 2 vjet mandatin e organeve të vettingut. Duke e lënë kështu “topin” në derën e Lulzim Bashës, për ta votuar apo jo këtë ndërhyrje në Kushtetutë që kërkon 94 vota.

Mazhoranca refuzon të shkëmbejë mandatin e organeve të vettingut me cështje të tjera që i interesojnë opozitës, si reforma territoriale apo ajo zgjedhore. Kreu i grupit socialist, Taulant Balla tha se PD duhet ta votojë ndryshimin e Kushtetutës si një nevojë për vijimin e reformës në drejtësi.

Demokratët mohojnë po ashtu përmes Alfred Rushajt të jenë në pazar me socialistët, madje ende nuk kanë ndonjë preferencë se si duhet të vazhdojë vettingu.

Ne do të kemi një qëndrim atëherë kur të kemi propozim konkret, mbi atë do të flasim, padyshim do të jetë pjesë e një strategjie më të madhe. Me rëndësi për ne është që mbi të gjitha të vihen interesat e shqiptarëve dhe jo nevojat që ka PS apo Edi Rama. E para nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga partnerët deri tani, nuk kemi marrë kërkesë nga askush deri tani.

Unë që jam i ngarkuar me këtë pjesë, ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje shumë më të rëndësishme si ndryshimi i kodit zgjedhor dhe ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me interesin e shqiptarëve por jo për çështje që i takojnë Ramës. Strategjitë sesi do të negociojmë do të paraqiten në momentin konkret kur të kemi diçka konkrete” tha Alfred Rushaj.

Kreu i grupit të PD-së u pyet edhe për vendimin e Lulzim Bashës për Flamur Nokën. “Vendimi që mori Basha është një vendim i marrë në përputhje me kompetencën që kryetari ka, sidoqoftë është një vendim i brendshëm i Partisë Demokratike, padyshim do të respektohet çdo procedurë” deklaroi ai.

Deklarata e plotë e Alfred Rushajt

Ka një dakordësi për objektin e hetimit për Komisionin Hetimor për Zgjedhjet sipas propozimit që ne bëmë. Nuk ka dakordësi për inceneratorët. Duket që pala tjetër është duke shqyrtuar propozimet tona dhe do të vijë përpara seancës sot dhe nesër, për të shkuar në një objekt të dakordësuar. Ndërkohë, duket që ka një vendim të palës tjetër për të mos pranuar ngritjen e Komisionit Hetimor “Becchetti”. Justifikimi për këtë është një letër që paska sjellë Avokati i Shtetit dhe socialistët thonë që ngritja e Komisionit Hetimor “Bechetti”, që do të hetonte përse shqiptarët do të paguajnë thuajse 120 milionë euro, është kundër interesit të Shqipërisë.

Në fakt mosngritja e këtij Komisioni është në interes të Edi Ramës. Është e turpshme që PS barazon interesin e shqiptarëve me interesin e Edi Ramës dhe disa nëpunësve të tij. Kjo në shkelje të plotë Kushtetutës, në shkelje të plotë të vendimeve të qarta të Gjykatës Kushtetuese të cilët kanë krijuar jurisprudencë të qartë për çdo aspekt të këtij Komisioni. Natyrisht ne nuk do e pranojmë këtë pjesë, do të bëjmë çfarë ne kemi në dorë, çfarë ne kemi mundësi të bëjmë që ky Komision të ngrihet dhe shqiptarët ta dinë se përse do të paguajnë 120 milionë euro.

Pyetje: Z. Rushaj, ju jeni mandatuar nga z.Basha për çështjen e vetingut. A është PD e gatshme të diskutojë si çështje të vetme apo do të negocioni në një paketë për të tjera ndryshime kushtetuese?

Alfred Rushaj: Ne nuk kemi marrë asnjë propozim nga askush deri tani për vetingun.  Kjo është një çështje që nuk është diskutuar me asnjë partner dhe asnjë forum deri tani.

Pyetje: Ju çfarë dëshironi?

Alfred Rushaj: Ne do të kemi një qëndrim atëherë, kur të kemi një propozim konkret. Mbi atë do të flasim dhe padyshim do të jetë pjesë e një strategjie tonës më të madhe, por e rëndësishme për ne është që mbi të gjitha të vihen interesat e shqiptarëve dhe jo nevoja që ka Partia Socialiste apo Edi Rama.

Pyetje: Pra nuk jeni të gatshëm për ta votuar? Sepse e kërkojnë partnerët?

Alfred Rushaj: E para ne nuk kemi asnjë kërkesë nga partnerët deri tani. Po e ripërsëris edhe një herë, nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga askush deri tani. Unë jam i ngarkuar për këtë si pjesë e një procesi më të madh, pra ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje shumë më të rëndësishme, siç është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me interesin e shqiptarëve, por jo për çështje që i takojnë Edi Ramës.

Pyetje: Duke e kushtëzuar me vetingun apo duke i lënë të ndara?

Alfred Rushaj: Strategjitë se si do të negociojmë se çfarë do të bëjmë do të paraqiten kur të kemi diçka konkrete.

Pyetje: Z. Rushaj çfarë mendimi keni për vendimin e z.Basha për përjashtimin e z.Noka si n/kryetar i Komisionit të Sigurisë?

Alfred Rushaj: Vendimi që mori z.Basha është një vendim i marrë në përputhje me kompetencën që kryetari ka, sidoqoftë është një vendim i brendshëm i Partisë Demokratike, padyshim do të respektohet çdo procedurë.

/ Abcnews.al