Të dielën, më 9 nëntor, në vend u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashki: Mat, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Vlorë, ku Partia Socialiste arriti fitore në të gjitha garat. Megjithatë, procesi u karakterizua nga një pjesëmarrje shumë e ulët e votuesve dhe mungesë gare të mirëfilltë politike.
Sipas analistit Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, këto zgjedhje ishin më shumë një procedurë burokratike sesa një garë elektorale reale, pasi fituesi dhe humbësi njiheshin paraprakisht.
Ai vlerësoi se rezultati reflekton lodhjen e qytetarëve ndaj politikës dhe shkëputjen në rritje të elektoratit nga proceset zgjedhore, ndërsa fushata u zbeh nga debati juridik dhe politik për zgjedhjet në Tiranë.
“Vazhdoj të mendoj se në një palë zgjedhje, ashtu edhe në shprehjen e famshme të tangos, për të kërcyer duhen dy veta. Mendoj që nëse Sparta qan, Athina nuk qesh, që do të thotë se pjesëmarrja është e ulët dhe është e ulët përgjithësisht. Që do të thotë se alibitë dhe shkaqet, justifikohet janë. Ishin zgjedhje për rreth një vit e gjysmë mandat të mbetur, pa këshilla. Ishin zgjedhje që zhvilloheshin gjithashtu në klimën kur dihej fituesi, dihej dhe humbësi. Ishte një procedurë burokratike.
Mendoj që edhe përmasat e fitores vlejnë deri diku që të realizohen. Sa i takon përshtypjes që të jepnin, të ngjallnin të njëjtin emocion që të ngjall siguracioni i rinovimit të makinës, pra ishte si një ditë votimi. Nuk kishte votim praktikisht. Për ta vënë në kontekst ishte 334 mijë votues në pesë bashki, nga të cilët votuan më pak se 60 mijë. Ndërkohë që Tirana në 2023-in ka pasur në listë 699 mijë votues, pra kanë qenë zgjedhje që u kryhen se duheshin kryer.
Vihet re mes rreshtash që ka një lodhje ndaj politikës, ka një shkëputje të qytetarit ndaj politikës. Këto ishin zgjedhje që edhe për shkak të sherrit procedural të Tiranës, kandidatët të të gjitha krahëve nuk patën fare pothuajse hapësirë për të shpalosur sado pak programin e tyre dhe për të bërë sado pak fushatë. Ka qenë e dominuar nga saga juridike, politike dhe kushtetuese e Tiranës, dhe kjo e dëmtoi disi pjesëmarrjen, hutoi votuesin dhe humbi rëndësinë e bashkive të tjera në garë”, tha Minxhozi./abcnews.al

