“PS do t’i shkojë deri në fund shkarkimit të Metës?” Balla: Interesi më i madh, rruga drejt BE

schedule18:19 - 14 Maj, 2021

schedule 18:19 - 14 Maj, 2021

Taulant Balla, në një komunikim për mediat nga Cërriku, foli për zgjedhjet e 25 prillit, kërkesën për bashkëpunim me opozitën si edhe për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Balla u shpreh se ftesa ndaj opozitës për bashkëpunim është një ftesë e sinqertë, ndërsa shtoi se tashmë është koha që palët të punojnë së bashku për të ardhmen e vendit drejt rrugës europiane.

“Secili prej nesh duhet ta lexojë me shumë përgjegjshmëri rezultatin e 25 prillit. Ne fituesit kemi detyrimin që jo vetëm të shtrijmë dorën e bashkëpunimit, por edhe të përfshijmë edhe ata që janë humbësit  pra opozita e këtij vendi, për të punuar sëbashku për interesat e mëdha të vendit. Interesi më i madh është rruga drejt Bashkimit Europian.

Ky proces është vështirësisht i arritshëm nëse ne nuk bëjmë bashkë të gjitha kontributet.

Tashmë jemi në stacionin e parafundit të procesit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. Fillimi i bisedimeve për anëtarësim është stacioni i parafundit, stacioni i fundit është momenti i anëtarësimit. Dhe ftesa për të bashkëpunuar me opozitën është ftesë e sinqertë dhe bazohet në interesat madhore të vendit”, tha Balla.

I pyetur nëse PS do t’i shkojë deri në fund shkarkimit të Presidentit Meta, Balla tha se kjo vendimmarrje i përket Komisionit Hetimor Parlamentar duku shtuar se me rëndësi është respektimi i Kushtetutës.

“Unë mendoj që të gjithë në duhet të heshtim dhe duhet të jetë Komisioni ai që më fund të mandatit të tij të sugjerojë vendimmarrjen e vet. Nëse Komisioni konkludon se shkeljet janë të rënda dhe hyjnë për shkarkimin e Metës do të shkarkohet.

Nëse do të ketë konkluzion tjetër, kjo është vendimmarrje sovrane Komisionit Hetimor Parlamentar. Në fund do të ketë një votim për raportim dhe nëse do të rekomandohet shkarkimi do të ketë edhe votim për shkarkim”, shtoi më tej ai.

/abcnews.al/