Partia Socialiste ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkresën për t’u regjistruar në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars. Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka nisur të hënën bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të PS Damian Gjiknuri, takimet me drejtuesit politikë dhe deputetët e qarqeve ku ka zgjedhje. Takimi i parë ishte në Fier dhe ka zgjatur rreth një orë. Sipas burimeve për abcnews.al në takim u fol mbi kandidaturat e PS për bashkinë Lushnje.
Kryesisë i është propozuar për kandidate për kryetare të bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa. Aktualisht ajo është kryetare e komanduar në këtë bashki.
Ndërkohë, Olta Xhaçka është zgjedhur si e deleguara e socialistëve për të menaxhuar zgjedhjet vendore të 6 Marsit në Bashkinë e Shkodrës. Në Shkodër PS pritet të kandidojë një grua. Majlinda Angoni, prefektja e qarkut pritet të zyrtarizohet si kandidate për Bashkinë.
Në Vorë, socialistët pritet t’ia besojnë garën për bashkinë, ish-prefektit Mersin Murati.
Kryetarari i Komanduar në Bashkinë e Rrogozhinës, Edison Memolla pritet të jetë kandidati i PS për bashkinë. Edison Memolla ka edhe lidhje gjaku me kryebashakiakun e ndjerë Haxhi Memolla. Në bashkinë e Durrësit, kryetarja e komanduar Emirjana Sako pritet të jetë kandidatja e socialistëve për të përmbyllur mandatin.
Afati i fundit për dërgimin e shkresës për regjistrim në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit është 31 janari. /abcnews.al/