Provim fals i Suarez/ Guardia Di Finanza nis hetimet, zbardhen përgjimet

schedule11:45 - 22 Shtator, 2020

schedule 11:45 - 22 Shtator, 2020

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, ishte shumë pranë një kalimi tek Juventusi. Ishte pasaporta italiane ajo që pengoi transferimin e tij tek kampionët e Serie A, pasi palët kishin gjetur akordin mes tyre. Marrëveshja nuk u arrit dot për shkak të ndërlikimeve me pasaportën, edhe pse ai tentoi ta merrte.

Uruguaiani iu nënshtrua një testi të gjuhës italiane pak ditë më parë në Perugia, për të filluar kështu procesin e marrjes së një pasaporte italiane.  Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare të Guardia di Finanza, që po heton që prej muajit shkurt, gjeti parregullsi të ndryshme në provimin e Suarez në Universitetin e Peruxhias.

Suarez thuhet se i dinte të gjitha pyetjet e provimit paraprakisht. Gjithçka filloi me kohëzgjatjen e provimit, me sulmuesin që qëndroi pak kohë dhe jo dy orë e gjysmë. Kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet. Sipas raportimit të “La Repubblica”, janë gjetur disa parregullsi në testin e certifikimit dhe momentalisht janë marrë dokumentacione të ndryshme në zyrat e universitetit.

Jo vetëm kaq, por ka edhe përgjigje që konfirmojnë se Suarez e dinte çfarë do t’i binte në provim. Stefania Spina, e ngarkuar për të përgatitur provimin dhe vetë sulmuesin uruguaian, është përgjuar dhe pyetjes se “çfarë niveli duhet të kalojë ai”, i përgjigjet kështu: “Nuk do duhej të kalonte, do kalojë, sepse me 10 milionë euro pagë në sezon nuk ia mohon dot sepse nuk është niveli i kërkuar gjuhësor”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!