“Provat të mjaftueshme ndaj Dvoranit”, Meta: Zëdhënësi do të shpërndajë spote

schedule16:00 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 16:00 - 10 Dhjetor, 2019

Presidenti Ilir Meta u mor në pyetje në Prokurorinë e Tiranës për rreth 60 minuta, lidhur me padinë e tij ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani. Gjatë daljes nga organi i akuzës, Meta tha se ekzistojnë provat e mjaftueshme për shkeljet e kryera nga Dvorani.

Ndërsa pak momente pasi mbërriti në zyrë, presidenca publikoi spotin e parë që evidenton shkeljet e kreut të KED-së.

Për rreth  një orë presidenti i republikës Ilir Meta qëndroi në Prokurori përballë prokurorit Alket Mersini, i cili ka regjistruar procedimin penal kundrejt  Kreut të KED Ardian Dvorani sipas kallëzimit të bërë nga Presidenti.

Meta ka dhënë sqarime në lidhje me kallëzimin e bërë kundrejt, Dvoranit  të cilin e akuzon për “Shpërdorim Detyre dhe Përvetësim të Titullit shtetëror”.

Debati i lindur për vakancën në Gjykatën Kushtetuese përfundoi në dyert e prokurorisë, pasi sipas Presidentit me veprimet dhe mosveprimet e tij Ardian Dvorani ka cenuar legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtareve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Ilir Metës çështja është shumë e rëndësishme sepse veç të tjerash ajo do të shërbejë edhe  si provë nëse po funksion reforma në drejtësi.

Kreu i shtetit kërkoi përmes medias që prokurorët, nuk duhet të punojnë nën presion por të gjykojnë dhe të mbledhin provat të pavarur prej politikës.

Kreu i shtetit tha se ka depozituar edhe prova shtesë të cilat nuk i bëri publike.

Por para se te largohej ai pohoi se sapo të shkonte në zyrë, zëdhënësi i tij do të bënte publike pjesë të asaj që ai e quan video përvëluese.

Prokuroria  ka regjistruar procedimin penal, por ende Ardian Dvorani nuk është marrë nën hetim. Prokurori i  çështjes pritet që të thërras për të dhënë deklarime edhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!