Në komunat veriore të Kosovës Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, qytetarët serbë, kryesisht punëtorë të institucioneve, tashmë janë tubuar para ndërtesave komunale.
Ata po protestojnë që nga 26 maji kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, ndërsa numri i tyre si zakonisht në mëngjes është i konsiderueshëm, shkruan KosovaPress.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, ndonëse në numër të vogël, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale.
Aktualisht situata e përgjithshme në këto komuna konsiderohet e qetë.