Pas disa minutash qëndrimi përpara Kuvendit, pati tension mes forcave të policisë dhe protestuesve. Pasi këta të fundit dëmtuan traun e Kuvendit, Garda e Republikës hodhi gaz lotsjellës në drejtim të tyre. Kaq mjaftoi që protestuesit të shpërndaheshin. Para parlamentit ndodheshin gjithashtu edhe fëmijë.
Opozita nisi protestën e paralajmëruar për këtë të shtunë pak pas orës 11:00. Lideri i opozitës, Lulzim Basha, sëbashku me protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Pak pasi grupit të protestuesve përpara ndërtesës së qeverisë iu bashkua kreu i demokratëve, ish-deputeti i PD-së, Flamur Noka mbajti një fjalim ku i kërkoi qytetarëve ta ndiqnin dhe të marshonin rreth Kryeministrisë.
“Vëllezër e motra, kjo protestë do të jetë marshim. Na ndiqni! Do të jetë marshim, sepse ne do të tregojmë se dimë të protestojmë”, tha Noka.
Pas kësaj protestuesit me në krye liderin Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u nisën në pjesën anësore të Kryeministrisë, duke rrethuar godinën e qeverisë. Ndërkohë disa protestues kanë hedhur tymuese dhe flakadanë në drejtim të saj.
Megjithatë ndalesa e tyre ishte e shkurtër, pasi ish-deputeti Noka u bëri sërish thirrje protestuesve që të vijonin marshimin, duke u shprehur se “sot godina ku është strehuar krimi është rrethuar nga qytetarët”.
Më pas, duke iu përgjigjur thirrjes së tretë të Nokës, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së parlamentit. Ndërkohë, ish-deputeti Flamur Noka konfirmoi për gazetaren Juli Xhokaxhi se protestuesit nuk do të kthehen tek kryeministria gjatë ditës së sotme, por do të vazhdojnë të qëndrojmë përpara parlamentit.
Opozita kërkon krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Autobusë dhe mjete private nga rrethet e vendit u nisën drejt Tiranës që në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ndodhet në qytetin e Beratit që prej së premtes.
Rreth 1600 efektivë policie dhe të Gardës së Republikës do të jenë të angazhuar në mbarëvajtjen e protestës së kësaj të shtune që pritet të mbajë opozita përpara Kryeministrisë. Mësohet se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e pasme të Kryeministrisë.
Ndërkohë në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”. Ndërmjet Kryeministrisë dhe Piramidës janë vendosur kordonë që do të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve si edhe të manifestuesve. Në gatishmëri do të jenë edhe efektivët e shërbimit zjarrfikës.
Policia ka vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë. Qëllimi është për të dokumentuar provat materiale nga oficerët e Policisë Gjyqësore nëse manifestuesit do të shkelin ligjin, duke gjuajtur me sende të forta në drejtim të Kryeministrisë.
Ndërkohë Garda e Republikës do të përdorë gazin lotsjellës nëse do të tentohet të dëmtohet godina e Kryeministrisë apo të ketë veprime që do të cenojnë sigurinë territoriale të saj./abcnews.al