Dyqane dhe restorante të shkatërruar. Janë këto pamjet që vijnë nga Parisi, ku Jelekët e Verdhë kanë protestuar në të shtunën e 18 që nga krijimi i lëvizjes. Disa prej tyre u përpoqën të shkonin në presidencë, por u zmbrapsën nga policia.
Jelekët e Verdhë, gjatë protestës në të shtunën e 18 që nga krijimi i lëvizjes, kundër presidentit francez Emmanuel Macron, janë përplasur me forcat e policisë pranë Harkut të Triumfit në Paris.
Protestuesit kanë hedhur tymuese dhe gurë ndaj agjentëve të policisë, duke sulmuar më pas një automjet, të cilit iu vu zjarri. Policia fillimisht është tërhequr dhe më pas ka reaguar me ujë ndaj protestuesve.
Disa prej manifestuesve kanë grabitur disa dyqane në Champs-Elysees. Restoranti i famshëm luksoz Fukue u sulmua dhe u shkatërrua totalisht nga brenda vetëm për pak minuta. Dhe dyqane të tjera u sulmuan dhe vitrinat u boshatisën. Policia u përpoq të mbante larg grupe të rinjsh të veshur me të zeza dhe me maska mbrojtëse që sulmuan nga anë të ndryshme.
Më pas një numër i konsiderueshëm i protestuesve u përpoq të thyente bllokadat e vendosura nga policia për të mbërritur në presidencë, por u zmbrapsën me gaz lotsjellës dhe pompa uji./abcnews.al