Policia ka arrestuar 16 persona, të cilët morën pjesë në protestën e djeshme për rritjen galoponte të çmimeve në Tiranë. Uniformat blu bëjnë me dije se gjithashtu po procedohen në gjendje të lirë, 5 persona të tjerë.
Të arrestuarit janë: Emiljano Çervenaku, Amarildo Zaimi, Vilian Pjetri, Ernest Kapo, Gjovan Pjetri, Saimir Rrahmani, Pellumb Sina, Eldo Nezha, Elvis Leka, Mirton Dedndreaj, Artemis Marku, Armir Nelaj, Endri Ahmeti, Sheme Hamitaj, Xhonis Lamaj dhe Bislim Lakna.
Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim.
Policia thotë se po punon për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë protestë, ndërsa bën apel që qytetarët të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve.
Njoftimi i plotë:
Bënë thirrje për grumbullime, bllokuan rrugët dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë protestës së ditës së djeshme, arrestohen në flagrancë 16 shtetas dhe procedohen penalisht 5 shtetas të tjerë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 9 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
– E. Ç., 21 vjeç, A. Z., 22 vjeç, V. P., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, Gj. P., 22 vjeç, S. Rr., 33 vjeç, P. S., 22 vjeç, E. N., 22 vjeç, E. L., 25 vjeç, M. D., 43 vjeç, A. M., 32 vjeç, A. N., 23 vjeç, E. A., 20 vjeç, Sh. M., 25 vjeç, Xh. L., 25 vjeç, dhe B. L., 28 vjeç.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit:
– E. H., 20 vjeç, E. P., 23 vjeç, A. A., 36 vjeç, M. K., 20 vjeç, dhe E. V., 22 vjeç.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 9 mars 2022.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.
g.v/abcnews.al