Një protestë masive u zhvillua në Shkup para godinës së qeverisë për rastin e vrasjes së vogëlushit, Almir Aliu. Nëna e 4-vjeçarit të ndjerë në fjalimin e sajë kërkoi luftimin e padrejtësive që bëhen ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
Qindra qytetarë shqiptarë të Maqedonisë protestuan përpara godinës së qeverisë për procesin gjyqësor ndaj autorit të vrasjes së vogëlushit Almir Aliu nga Kumanova. Organizatorët e sajë lexuan dhe një deklaratë, ku kërkesa e tyre ishte që e gjithë procedura gjyqësore të filloj nga e para si dhe të shkarkohen disa prokurorë. Nëna e vogëlushit 4-vjeçar I cili u përplas për vdekje nga një automjet që drejtohej nga shtetasi Boban Iliç në qershor të 2016, mbajti një fjalim që preku manifestuesit.
Mixhevere Kasumi: “Almiri im nuk do të kthehet, por të paktën, fëmijët e juaj të jetojnë të lirë. Sepse djalit tim ja ndaloi rritjen duke pambushur ende katër vjet. Almiri nuk dinte të bënte dallime etnike. Ai kishte ëndrra të shkonte në shkollë, të lozte me shokët por fatkeqësisht një kriminel me dashje ja ndaloi. Ne luftuam për gjuhën shqipe do të luftojmë edhe për padrejtësitë që i bëhen shqiptarëve sepse fëmijët tanë nuk po arrin ta gëzojnë gjuhën e tyre, duke na vrarë e kthyer në aksidente. Prokurores Kusigerska i them se unë nuk kam nevojë për keqardhjen tënde, nga ty deshta vetëm drejtësi për djalin tim por ajo më vrau për të dytën herë. Por drejtësia do të vij një ditë sepse vrasësi nuk do të jetojë asnjëherë i qetë”.
Kjo protestë vjen pasi Gjykata e Shkupit rikualifikoi çështjen nga vepër penale “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku”, duke lënë të lirë kështu edhe të akuzuarin kryesor Boban Iliç. Për këtë vendim dha dorëheqjen dhe ministri I drejtësisë, Bilen Saliji. Ndërkohë, kjo ishte protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë për rastin “Almiri” ku të pranishëm ishin artistë, politikanë, profesorë, intelektualë, klerikë etj./abcnews.al