Teksa në Kosovë deputetët e legjislacionit të XI shkonin drejt sallës së parlamentit, aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar.
Ata kanë kundërshtuar zbatimin e Ligjit për Shtetësinë duke kërkuar publikimin e numrit të serbëve që kanë aplikuar për shtetësi të Kosovës që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.
“Sot kemi dalë me protestuar… me protestuar një prej çështjeve më të mëdha me të cilat po përballen sot shtetasit tanë. Shkaku kryesor është jepja e shtetësisë për serbët që nuk kanë të drejtë me gëzuar këtë të drejtë. Në fillim ne i kemi kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të dalë me një deklaratë dhe të tregojë se sa serbë kanë aplikuar deri sot që nga ligji i ri për me fituar shtetësinë kosovare. Ajo që kemi marrë prej ministrisë ka qenë heshtja”, tha aktivisti Rilind Kuçi.
Kuçi tha se protesta e sotme kishte për qëllim paraqitjen e tri kërkesave kryesore: publikimin e numrit të aplikuesve për shtetësi, shfuqizimin e Ligjit për Shtetësinë dhe shfuqizimin e nenit 155, për të cilin ai tha se u mundëson serbëve që kanë qenë banorë në vitin 1998 të fitoj shtetësinë e Kosovës.
Aktivistët paralajmëruan vazhdimin e protestave nëse kërkesat nuk merren parasysh.


