Një grumbullim njerëzish që protestonin kundër ndotjes nga fabrika e mbetjeve në Lezhë, rezultoi në një përpjekje për të ndotur në fakt klimën elektorale.
Incidenti ndodhi pasditen e së mërkurës në sheshin “Gjergj Kastrioti” ku Partia Socialiste po prezantonte kandidatët për deputetë në Lezhë.
Grupi I aktivistëve me pankarta në duar të cilët protestonin kundër ndotjes nga fabrika e mbetjeve me origjinë shtazore, u përplasën me policinë bashkiake.
3 persona u shoqëruan në polici, ndërsa njëri prej tyre u vu nën hetim pasi goditi fizikisht shefin e policisë bashkiake të Lezhës.
Në një reagim zyrtar, dega e partisë socialiste në Lezhë ka sqaruar ngjarjen ndërsa shton se dhuna është provokuar nga një eksponent i Partisë Demokratike.
“Kërkojmë nga PD-ja të tregojë korrektesë dhe mos implikim, të mos mbështesë çfaredolloje aktori që interferon në takimet elektorale si një e drejtë dhe standart me ligjin, dhe në respekt të komunitetit lezhjan.
Akti i dhunës u provokua nga një eksponent i pranishëm në tubimin me pesë vetë, me synimin e vetëm për të prodhuar një lajm, duke ngritur një alibi mbi një fabrike që zë fill dhe vendoset në Lezhë që në qeverisjen e Sali Berishës.
Si forcë politike, nuk do të tolerojmë askënd që në mënyrë të paligjshme ndërhyn apo pengon tubimet elektorale të cilësdo parti.”
Ky është incidenti I parë I fushatës elektorale, e cila zyrtarisht nuk ka filluar akoma.