Banorët e katër fshatrave të Matit kanë protestuar kundër ndërtimit të një HEC-i në zallin e Melthit. Ata kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve dhe të ruhet burimi i zonës.
Banorë të fshatrave Gjoçaj, Zall-Gjoçaj, Dukagjin dhe Lam i Madh në Bashkinë e Matit prej disa ditësh protestojnë kundër ndërtimit të një HEC-i në zallin e Melthit.
Ata u grumbulluan në kantierin e ndërtimit të firmës duke i kërkuar kësaj të fundit të ndërpresë punimet.
Mes tyre kishte qytetarë të ardhur edhe nga Tirana të cilët mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Jo HEC por Turizëm”, “Nuk e japim lumin tonë”.
Në mbështetje të protestuesve ishte edhe ambjentalisti Sazan Guri i cili u bëri thirrje instancave shtetërore që të pezullojnë lejen e dhënë.
E gjithë protesta e banorëve të 4 fshatrave te Matit u monitorua nga Policia e Shtetit./ABC News Albania 24/7