Protestë e përgjakshme në kufirin mes Palestinës e Izraelit

schedule14:37 - 30 Mars, 2018

schedule 14:37 - 30 Mars, 2018

Pesë palestinezë janë vrarë dhe 350 të tjerë u plagosën nga ushtria e Izraelit gjatë një proteste në vijën kufitare mes dy vendeve. Manifestimi I palestinezëve do të zgjasë disa javë.

Mijëra palestinezë marshuan nga Gaza deri në vijën kufitare me Izraelin, ngjarje e cila shënoi fillimin e protestës që zgjat 6 javë. Zyrtarët e Palestinës thonë se 5 persona humbën jetën dhe 350 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri të ushtrisë izraelite. Më herët dhe një fermer u vra pasi u godit me raketë të lëshuar nga një tank. Shteti hebre paralajmëroi protestuesit që të mos përpiqen të thyejnë pengesat e sigurisë.

Palestinezët kanë vendosur 5 kampe në afërsi të kufirit ku do të protestojnë për Marshimin e Madh të Rikthimit. Mediat ndërkombëtare raportojnë se rreth 7 mijë persona gjenden në atë zonë.

Hamas, grupimi militant që ka shumë pushtet në Rripin e Gazës, ka akuzuar Izraelin se po përpiqet të frikësojë palestinezët duke vrarë persona të pafajshëm dhe duke bërë thirrje që të mos marrin pjesë në protestë. Duke iu drejtuar manifestuesve, lideri i Hamas nënvizoi se “nuk do të lejojë që asnjë centimetër tokë t’i merret Palestinës.

Në reagimin e saj për vrasjen dhe të shtënat me armë, autoritetet e shtetit hebre theksuan se ndërmorën masa që protesta të mos përshkallëzohet. Ndërkohë, Marshimi i Madh i Rikthmit i njohur dhe si Dita e Tokës, zhvillohet në përkujtim të vrasjes së 6 protestuesve nga ushtria izraelite lidhur me pushtimin e territorit palestinez në 1976./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!