Protestat për vrasjen e të riut, policia e shtetit: S’ka më tolerime, rrezikojmë mbylljen e madhe

schedule12:13 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 12:13 - 14 Dhjetor, 2020

Duke marrë shkas nga situata e trazuar e protestave të ditëve të fundit, policia e Shtetit ka bërë të ditur të hënën se nuk do të tolerohet asnjë grumbullim që bie bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

Duke vënë në dukje se është e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e tubimit, por shtohet se për vrasjen e Klodian Rashës, drejtësia po e kryen detyrën e saj.

Më tej, u bëhet apel qytetarëve që mbajnë parasysh kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për grumbullimet mbi 10 persona, mbajtja e maskës e distancës fizike, etj.

NJOFTIMi I PLOTË I  POLICISË SË SHTETIT

Në zbatim të Aktit Normativ, me qëllim respektimin e masave kundër COVID-it për shkak të gjendjes shqetësuese të shkaktuar nga pandemia, nga të gjithë shtetasit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për rritjen e sigurisë publike në tërësi nisur edhe nga protestat e fundit, kërkohet zbatimi i masave dhe i protokolleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Policia e Shtetit është shumë e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e pacenueshme të tubimit. Në kushtet e sensibilizimit të madh të shoqërisë pas tragjedisë së djalit njëzetepesë vjeçar që humbi fatalisht jetën, nga dora e një efektivi policie, Policia e Shtetit e ka pasur të pamundur ta anashkalojë ndjeshmërinë popullore për të mos lejuar asnjë tubim. Por tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për:
 Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë;
 Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;
 Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;
 Ndalimin e muzikës pas orës 20:00;
 Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;
 Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
 Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;
 Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.

Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!