“Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duket se ka një plan për t’u larguar nga vendi nëse forcat e sigurisë nuk arrijnë të shuajnë protestat ose nuk i binden më urdhrave të tij”, kështu thuhet në një raport të inteligjencës, citon “The Times”.
Në këtë raport, sipas The Times, 86-vjeçari Khamenei po planifikon të largohet nga Teherani me një rreth të ngushtë prej deri në 20 personash, përfshirë djalin e tij Mojtaba Khamenei, i cili shihet si një pasardhës i mundshëm.
Plani do të aktivizohet nëse shihet se ushtria dhe forcat e sigurisë po dezertojnë apo refuzojnë të zbatojnë urdhra.
Një ish-zyrtar i inteligjencës izraelite tha se destinacioni më i mundshëm i arratisjes do të ishte Moska, duke vënë në dukje se Khamenei mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe shpreh admirim për Vladimir Putinin.
Plani, sipas të njëjtave burime, bazohet në precedentin e arratisjes së ish-presidentit sirian Bashar al-Assad.


