Protestat e dhunshme në Serbi, Vuçiç thirr në takim urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare

schedule23:49 - 24 Dhjetor, 2023

schedule 23:49 - 24 Dhjetor, 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Pas takimit, ai ka bërë të ditur se dy policë kanë mbetur të plagosur rëndë, ndërsa njëri mezi ka mundur të ndalojë gjakderdhjen si pasojë e goditjeve.

Ai theksoi se është tentuar  të merren me dhunë institucionet e Serbisë, shkruajnë mediat serbe.

“Deri tani janë arrestuar mbi 35 banditë. Aksioni vazhdon dhe nuk do të ndalet. Identiteti i disa personave është duke u përcaktuar në këto momente dhe të gjithë do të arrestohen gjatë natës”.

Siç ka shtuar ai, në një minutë e gjysmë të gjithë ikën kur u shfaq xhandarmëria, duke theksuar se shtetit të Serbisë i kanë shkaktuar dëme të mëdha. Thirrja e tij për takimin urgjent ka ardhur pasi mbështetësit e koalicionit “Serbia kundër dhunës” (SPN) kanë vazhduar edhe sonte protestën e tyre para Kuvendit të Beogradit, ku edhe një herë tentuan të hyjnë me forcë në objekt.

Policia në ndërtesën e Kuvendit të qytetit ka reaguar ka përdorur edhe sprej kundër protestuesve. Protesta e shtatë e koalicionit Serbi kundër dhunës është mbajtur para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KQZ).

Por protesta në një moment është zhvendosur para Kuvendit të qytetit të Beogradit, shkruajnë mediat serbe.  Përfaqësues të opozitës kanë tentuar të hyjnë në kuvend, por policia brenda nuk i ka lejuar.

Sipas raportimit të mediave serbe, protesta u karakterizua nga incidente të shumta, qytetarët thyen xhamat dhe dyert e hyrjes, si dhe u shkatërruan kamerat e vëzhgimit. Qytetarët hodhën gurë në ndërtesën e Kuvendit të qytetit të Beogradit, ndërsa policia përdori edhe sasi të madhe të gazit lotsjellës. Në fund thuhet se policia dhe xhandarmëria arriti të shpërndante protestuesit./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!