Protestat disaditore, kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit

schedule10:30 - 5 Maj, 2022

schedule 10:30 - 5 Maj, 2022

Pas protestave të banorëve të zonës që zgjatën për disa ditë, Rruga e Rinasit do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Lajmin e bën të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një njoftimi.

Në njoftim thuhet se qarkullimi do të vijojë tashmë me dy sense lëvizjeje deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës. ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që vijnë nga veriu që të përdorin akse alternative në mënyrë që të mos rëndohet trafiku që të çon drejt Aeroportit.

Kurse, udhëtarëve apo turistëve që udhëtojnë drejt aeroportit u kujtohet që të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në aks.

NJOFTIM

“Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.
Apel ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit.
Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes.”
Ndërkohë, ky është momenti kur banorët e zonës mësojnë se rruga është hapur.

Kujtojmë se për disa ditë me radhë rruga e Rinasit u bllokua nga banorët të cilët protestuan kundër bërjes së rrugës me një sens kalimi- vetëm në drejtim të Aeroportit. Ata madje paralajmëruan se nëse ARRSH nuk u jepte një zgjidhje mund edhe të bllokonin fluturimet nga Rinasi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!