Protesta të dhunshme në Kiev pasi Rusia sekuestroi anije ukrainase

schedule11:58 - 26 Nëntor, 2018

schedule 11:58 - 26 Nëntor, 2018

Presidenti i Ukrainës ka kërkuar vendosjen e ligjit të gatishmërisë ushtarake në vend pas rritjes së tensioneve me Rusinë. Ndërkohë, për shkak të sekuestrimit të 3 anijeve ukrainase, në Kiev u zhvilluar një protestë e dhunshme në afërsi të ambasadës ruse.

Pas betejës në Detin e Zi erdhi dhe reagimi i qeverisë së Kievit. Ekzekutivi u mblodh me urgjencë gjatë orëve të para të së hënës për t’i kërkuar parlamentit të shpallë ligjin e ushtriksë, pas incidentit në ngushticën Kerch, në afërsi të Krimesë. Forcat e armatosura ruse kanë konfirmuar incidentin e së dielës, në të cilin është qëlluar me mjete të rënda, por edhe sekuestrimin e 3 anijeve të Ukrainës nga ana e Rusisë: bëhet fjalë për dy anije lufte dhe një rimorkiator. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të sigurisë dhe mbrojtjes, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko njoftoi se do t’i kërkojë parlamentit të shpallë ligjin ushtarak, duke saktësuar se kjo nuk do të thotë “shpallje lufte”. “Ukraina nuk ka në program të bëjë luftë me askënd”, siguroi presidenti.

Ministri i mbrojtjes i Kievit ka njoftuar se ka dhënë urdhërin që forcat e armatosura të qëndrojnë në gjendje alarmi operativ. Poroshenko i ka cilësuar aktet e Moskës si “të paprovokuara dhe të çmendura”. Ndërkohë, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley ka konfirmuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të thirrur me urgjencë për të ulur tensioned mes dy ish vendeve sovjetike. Mbledhja, që sipas burimeve diplomatike të mediave ndërkombëtare është kërkuar më shumë nga Rusia se sa Ukraina, do të mbahet në orën 17:00.

Rusia dhe Ukraina që nga e diela po shkëmbejnë akuzat për shkaktimin e krizës, në të cilën u qëlluan të shtëna që shkaktuan plagosjen e disa marinarëve ukrainas. Ushtria e Kremlinit u përplas me një rimorkiator ukrainas që po tërhiqte dy njësi ushtarake të Marinës së Kievit përmes Ngushtica e Kerçit. Rusia e konsideroi provokim dhe fyerje kërkesën e 3 anijeve të Ukrainës për të lejuar udhëtimin e tyre për në portin e Mariupolit. Nga ana tjetër, Kievi akuzoi Moskën se ka hapur zjarr duke plagosur dy marinarë dhe se ka sekuestruar 3 anijët e flotës detare ukrainase. Gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Moska. Bëhet fjalë për përshkallëzimin më të rëndë mes dy vendeve fqinje që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes të së dielës, në afërsi të ambasadës ruse në Kiev shpërthyen protestat: rreth 150 persona u mblodhën për të shprehur zemërimin e tyre për kapjen e 3 anijeve. Manifestuesit kanë djegur edhe një makinë diplomatike ruse./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!